Ministri i Drejtësisë, Toni Gogu, njoftoi se procesi i IBAR (Raporti i Vlerësimit të Piketave të Ndërmjetme) ka kaluar nga grupi i punës në grupin e ambasadorëve të vendeve anëtare të BE-së dhe përmban vlerësime pozitive për Shqipërinë në rrugën drejt Bashkimit Europian. Ai tha se gjatë 18 muajve të fundit janë koordinuar 70 institucione dhe janë dërguar mbi tetë mijë faqe dokumentacion, si dëshmi të mbështetjes faktike dhe institucionale për masat e ndërmarra. Ministri theksoi se raporti lidhet me rezultatet që pritet të shihen nga sistemi i drejtësisë.
Gogu përmendi tri pika pozitive dhe një negative që evidentohen për vendin. Cilësia e reformave vlerësohet mirë, ndërsa të dhënat nga një anketë rajonale tregojnë progres në reformën në drejtësi në Shqipëri: besimi i qytetarëve është dyfishuar, arrin 53%, dhe pavarësia e sistemit është rritur me 30%. Reforma perceptohet më pozitivisht, ndërsa perceptimi negativ ka rënë. Pika negative lidhet me backlog-un, pasi qytetarët e shohin sistemin të vështirë për ta përballuar financiarisht; megjithatë, sipas ministrit, po vërehen shenjat e para të uljes së çështjeve të mbartura.
Si tri prioritete strategjike të ministrisë, të cilat Gogu tha se janë të domosdoshme për integrimin në BE, u vendosën: fuqizimi i garancive procedurale dhe i të drejtave të njeriut në procesin e drejtësisë; rritja e eficiencës së sistemit gjyqësor; dhe rritja e aksesit të qytetarëve në sistemin e drejtësisë. Ministria ka nisur punën për ndërtimin e godinës së re të Gjykatës së Apelit dhe ka harmonizuar statistikat për të lexuar njësoj numrat.
Gogu gjithashtu njoftoi rritjen e kapaciteteve njerëzore në gjykata, me shtim të këshilltarëve ligjorë në të gjitha nivelet dhe zgjerim të hapësirave. Si masë shtesë, ministria po konsideron nxitjen e zgjidhjeve jashtëgjyqësore, përfshirë ndërmjetësimin. Top Channel.

