Presidenti amerikan Donald Trump njoftoi përmes një postimi në Truth Social se ka vendosur të shtyjë sulmin ushtarak “të planifikuar për nesër” kundër Iranit. Ai deklaroi se vendimin e mori pas thirrjeve nga udhëheqësit e Lindjes së Mesme dhe se, megjithatë, ka urdhëruar forcat e armatosura amerikane të jenë të gatshme për të filluar operacionet menjëherë, nëse kërkohet.
Trump përmendi emra konkretë të udhëheqësve që i kërkuan shtyrjen: Emiri i Katarit, Tamim bin Hamad Al Thani; Princi i Kurorës së Arabisë Saudite, Mohammed bin Salman Al Saud; dhe Presidenti i Emirateve të Bashkuara Arabe, Mohammed bin Zayed Al Nahyan. Sipas tij, këta udhëheqës i thanë se po zhvillohen negociata serioze dhe shprehën bindjen se do të arrihet një marrëveshje e pranueshme për Shtetet e Bashkuara dhe për vendet e Lindjes së Mesme e më gjerë.
Në mesazhin e publikuar, Trump tha se marrëveshja e pritur do të përfshijë, veçanërisht, ndalimin e armëve bërthamore për Iranin. Duke iu referuar respektit për udhëheqësit që kërkuan shtyrjen, ai njoftoi se ka udhëzuar personelin ushtarak që NUK të kryejë sulmin që ishte planifikuar për nesër. I njëjti udhëzim, sipas presidentit, u adresua Sekretarit të Luftës, Pete Hegseth, Kryetarit të Shtabit të Përbashkët të Ushtrisë, Gjeneral Daniel Kane, dhe Forcave të Armatosura të Shteteve të Bashkuara.
Megjithë shtyrjen e sulmit të planifikuar, Trump theksoi se forcat amerikane duhet të mbeten në gatishmëri dhe se ai i ka udhëzuar që të jenë të përgatitur për të vazhduar me një sulm të plotë dhe në shkallë të gjerë ndaj Iranit “në çdo kohë” nëse nuk arrihet një marrëveshje e pranueshme. Postimi përfundon me një falënderim për vëmendjen ndaj çështjes dhe me firmën “PRESIDENTI DONALD TRUMP.”

