Prej orës 16:30 mijëra studentë shqiptarë, të rinj dhe qytetarë, u ngritën në protestë në Shkup për mbrojtjen e gjuhës shqipe. Tubimit iu bashkuan edhe studentë nga Kosova dhe disa grupe të rinjsh nga Shqipëria, megjithëse një pjesë e tyre u bllokua në kufi dhe u kthye në Kumanovë. Grumbullimi u shndërrua në marshim drejt Gjykatës Kushtetuese, ku disa studentë ngjitën parulla në muret e jashtme të ambientit.
Protestuesit kërkojnë dorëheqjen e kryeministrit Hristijan Mickoski dhe të ministrit të Drejtësisë, Igor Filkov. Ky i fundit kishte deklaruar pak orë para tubimit se “nuk ka provim në gjuhën shqipe, është çështje e mbyllur”, deklaratë që shkaktoi zemërim dhe u përmend si shkak i thirrjeve. Rreth 400 studentë që studiojnë drejtësi në tre universitete të Maqedonisë së Veriut kërkojnë që provimi i jurisprudencës t’u jepet në gjuhën shqipe, sipas së drejtës që u njeh ligji.
Gjatë protestës dominuan flamujt kuqezi dhe thirrjet patriotike; në kor dëgjoheshin thirrjet “UÇK, UÇK, UÇK”, si dhe slogane si “Gjuha shqipe identitet, gjuha shqipe amanet, gjuha shqipe nuk negociohet” dhe këngë si “O sa mirë me qenë shqiptarë”. Studentët kënduan edhe Himnin Kombëtar. Në mes të turmës u shfaq një djalë i vogël me jelek tradicional shqiptar, që mbante një pankartë me mbishkrimin “Mos ma përktheni të ardhmen!!”; mesazhi u shpërnda shpejt në rrjetet sociale dhe u konsiderua simbol emocional i protestës.
Gjatë zhvillimeve, autoritetet policore arrestuan tre studentë. Organizatori Mevlan Ademi deklaroi se protesta është paqësore dhe denoncoi se studentët nga Tirana po dërgohen me forcë në Kumanovë, ndërsa shtoi se protestuesit po provokohen gjatë rrugës. Ndërkaq zëvendëskryeministri Bekim Sali njoftoi në Kuvend se provimet e jurisprudencës do të jepen në gjuhën shqipe dhe vlerësoi të drejtën e studentëve për të protestuar, duke thënë se ata po mbrojnë “frontin europian”.

