Finalja e Europa League mes Aston Villa dhe Freiburg pritet të jetë një përballje spektakolare, edhe pse në letër anglezët konsiderohen favoritë. Ndeshja do të luhet më 20 maj në Tüpraş Stadium, shtëpia e Beşiktaş.
Vëmendja e shumë klubeve të mëdha evropiane është drejtuar te portieri i Freiburgut, Noah Atubolu, i konsideruar një nga talentet më premtues në futbollin gjerman. 22-vjeçari është bërë titullar i padiskutueshëm që nga sezoni 2023-24, kur zëvendësoi Mark Flekken. Me reflekse të spikatura dhe aftësi të veçanta në pritjen e penalltive, Atubolu ka tërhequr interesin e Interit, i cili po monitoron situatën e tij për merkaton e verës.
Sipas raportimeve, Freiburg kërkon rreth 20 milionë euro për kartonin e portierit, ndërsa kontrata e tij skadon pas një viti. I lindur në Freiburg më 25 maj 2002, Atubolu ka prejardhje të përzier: baba me origjinë nigeriane dhe nënë gjermane me rrënjë nigeriane. Ai filloi karrierën si mbrojtës qendror para se të kalonte në portë në akademinë e Freiburgut, një ndryshim që shënoi drejtimin e karrierës së tij.
Në aspektin kombëtar ai ka kaluar të gjitha ekipet zinxhir të përfaqësueses gjermane, nga U-17 deri te U-21. Në ekipin U-21 vendosi rekordin e paraqitjeve për një portier me 22 ndeshje, duke tejkaluar shifrën e Manuel Neuer. Stili i tij është shpesh krahasuar me atë të Neuerit, për aftësitë me topin në këmbë dhe daljet e sigurta nga porta.
Arma e tij më e fortë mbetet pritja e penalltive: në vitin 2025 ai u bë portieri i parë në historinë e Bundesligës që priti pesë penallti radhazi. Këto karakteristika kanë bërë që emri i tij të përmendet gjerësisht në bisedat e merkatos, teksa klube si Interi vlerësojnë mundësinë e transferimit të tij.

