Në mbledhjen e sotme të Komisionit Parlamentar për Kulturën, Turizmin dhe Diasporën u trajtuan problemet që pengojnë avancimin në karrierën artistike dhe akademike të artistëve në vend. Në seancë ishte e pranishme këngëtarja Manjola Nallbani, e cila u ndal në çështjen e kualifikimeve akademike dhe mundësive për ndjekjen e doktoraturave. Ajo theksoi se përvoja e gjatë artistike nuk duhet ta privojë një individ nga e drejta për të dhënë mësim nëse nuk ka doktoraturë, duke argumentuar se shumë artistë nuk patën mundësi të ndjekin doktoratura jo për mungesë dëshire, por për shkak se proceset universitare kanë qenë të ndalur. Nallbani vijoi se për vite kanë vazhduar të ndërtojnë karrierën e tyre profesionale, që sipas saj është gjëja më e rëndësishme, dhe se universiteteve nuk duhet t’u imponohen forma të vetme funksionimi që eliminojnë mësimdhënës me përvojë. Ajo shtoi se brezi i ri mund të ndjekë doktoratura dhe të funksionojë sipas rregullave të reja, por që doktoratura nuk duhet të jetë kriteri i vetëm që përcakton nëse dikush duhet të japë mësim në Universitetin e Arteve. Si argument personal, Nallbani përmendi se përveç 10 viteve si soliste në operë, ka 22 vjet përvojë mësimdhënie në akademi, dhe shprehu bindjen se ka munguar vullneti për t’u dhënë një zgjidhje këtyre çështjeve.
Gjithashtu, Nallbani adresoi pagat e pedagogëve të arteve, duke u shprehur se ata paguhen më pak se studentët e tyre pasi këta të fundit hyjnë në punë. Ajo theksoi se shumë nga të diplomuarit, kur fillojnë punë në institucione si kori i operës, orkestrat dhe institucionet e tjera artistike, prej ditës së parë marrin paga më të larta se pedagogët që i kanë formuar, dhe bëri thirrje që kjo të verifikohet dhe të marrë zgjidhje. Top Channel.

