Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, priti sot në një takim Kursin e Lartë për Sigurinë dhe Mbrojtjen që po zhvillohet në Kolegjin e Mbrojtjes dhe Sigurisë të Forcave të Armatosura. Në takim morën pjesë përfaqësues të institucioneve të sigurisë kombëtare dhe të Forcave të Armatosura shqiptare, si dhe përfaqësues nga vendet aleate dhe partnere: Bullgaria, Greqia, Turqia, Italia, Hungaria, Kroacia, Kosova, Polonia dhe Jordania. Këta të fundit janë pjesë e një prej programeve kryesore të sistemit arsimor ushtarak shqiptar.
Presidenti Begaj përgëzoi Kolegjin e Mbrojtjes dhe Sigurisë për organizimin e kursit dhe vlerësoi frymën e bashkëpunimit, mirëkuptimin, ndërtimin e besimit dhe krijimin e lidhjeve midis profesionistëve civilë dhe ushtarakë nga agjenci dhe vende të ndryshme. Bashkëbisedimi u përqendrua në zhvillimet gjeopolitike, çështjet e sigurisë dhe rëndësinë e bashkëpunimit midis partnerëve dhe aleatëve, duke reflektuar përbërjen ndërkombëtare të kursit.
Në përgjigje të interesimit të pjesëmarrësve, kreu i shtetit theksoi domosdoshmërinë që Shqipëria i kushton stabilitetit dhe sigurisë në rajonin e Ballkanit Perëndimor. Ai nënvizoi se, pavarësisht progresit të ndjeshëm drejt integrimit euroatlantik, zhvillimet politike në rajon mbeten komplekse. Në kontekstin e dinamikës gjeopolitike dhe konflikteve ndërkombëtare, Ballkani Perëndimor ka një rëndësi strategjike për Aleancën, sipas Presidentit.
Një çështje e theksuar në bisedë ishte Kosova. Begaj theksoi angazhimin e vazhdueshëm të Shqipërisë në kuadër të organizatave ndërkombëtare për avancimin e integrimit të Kosovës, me fokus të veçantë në rritjen e njohjeve të saj, anëtarësimin në NATO dhe pjesëmarrjen në misionet e Aleancës. Sipas tij, këto hapa shërbejnë për forcimin e sigurisë në rajon.
Takimi risolli në vëmendje rolin e edukimit ushtarak dhe dialogut ndërkombëtar si mjete për forcimin e bashkëpunimit, ndërtimin e besimit dhe adresimin e sfidave të sigurisë në Ballkanin Perëndimor dhe më gjerë.

