Hetim tre-mujor i BBC-së zbulon se rrjete kontrabande të emigrantëve po përdorin biznese të regjistruara në Mbretërinë e Bashkuar për të menaxhuar pagesat e kalimeve ilegale me gomone përmes Kanalit Anglez. Gazetarët dokumentuan takime me kontrabandistë në veriun e Francës dhe persona të lidhur me ta në Londër, dhe tregojnë se emigrantëve u ofrohej mundësia të paguanin mijëra paund për kalimin duke përdorur llogari bankare të kompanive britanike ose duke dorëzuar para cash në biznese që funksiononin publikisht.
Hetimi nisi në kampin e emigrantëve në Dunkirk, ku gazetarët, të paraqitur si emigrantë me një fëmijë, u kontaktuan brenda pak minutash nga persona që ofronin vende në gomone. Njëri prej kontrabandistëve, i quajtur “Zia”, shpjegoi se pagesat mund të bëheshin në Britani përmes pikave të këmbimit valutor ose bizneseve të tjera, dhe se paratë mbahej derisa emigrantët të arrinin në territorin britanik: “Në Londër nuk të japin faturë. Ata më telefonojnë dhe më thonë se paratë janë marrë. Kur kalon kufirin, atëherë fondet transferohen tek unë”.
Një tjetër kontrabandist, “Ahmad”, dha çmime dhe tre biznese të regjistruara në Britani si vendet e pagesës: një dyqan telefonash në Woolwich, një biznes me shumicë në Newcastle upon Tyne dhe një lavazh automjetesh në Cambridgeshire. BBC konfirmoi se të dhënat bankare ishin reale dhe kompanitë rezultonin të regjistruara në Companies House. Pamjet e regjistruara tregojnë punonjës që shpjegojnë se paratë mund të mbaheshin derisa emigranti të mbërrinte, dhe pranojnë rreziqet e kalimit, përfshirë mundësinë e fundosjes së varkave: “Nëse njerëzit tuaj nuk arrijnë, ne do t’jua kthejmë paratë”.
Ekspertët e sigurisë financiare thonë se skema ngjan me sistemin informal “hawala”, ku fondet mbahen dhe transferohen pas përfundimit të shërbimit. Tom Keatinge nga RUSI tha: “Është shqetësuese që individë të përfshirë në këto aktivitete ndihen mjaftueshëm të sigurt për të operuar publikisht”. Autoritetet britanike pranojnë vështirësi në konfiskimin e fitimeve; nga viti 2020 gjykatat identifikuan mbi 16 milionë paund si përfitime kriminale, por urdhrat e konfiskimit arritën 2.9 milionë, dhe janë rikuperuar rreth 1.6 milionë paund. NCA ka rreth 100 hetime aktive; zëvendësdrejtori Dan Cannatella-Barcroft tha se Britania po investon më shumë burime dhe po e bën vendin “më të vështirë për t’u shfrytëzuar” nga këto banda. Bizneset e përmendura mohuan ose ofruan bashkëpunim me autoritetet, ndërsa njëra nuk iu përgjigj kërkesave për koment.

