Çmimi i Madh i Katalonjës në pistën e Montmelo të Botërorit të MotoGP ishte një nga garat më kaotike dhe të paparashikueshme të viteve të fundit, me dy ndërprerje dhe tri rinisje për shkak të aksidenteve. Fitues i garës u shpall Fabio Di Giannantonio.
Gara u ndërlikua që në fillim. Pas valëvitjes së flamurit të kuq të shkaktuar nga një përplasje mes Pedro Acostës dhe Alex Marquez, gara u ndërpre për herë të parë. Pasi rinisi, në kthesën e parë ndodhi një moment tjetër të frikshëm: rrëzime të shumta të Francesco Bagnaia, Luca Marini dhe Johann Zarco, që detyruan sërish komisarët të valëvisnin flamurin e kuq dhe të pezullojnë garën.
Pas shuarjes së semaforëve të rinisjes tjetër, gara pësoi dramën sportive të radhës pas një kontakti mes Raul Fernandez dhe Jorge Martin; ky i fundit u detyrua të tërhiqej nga gara. Nga ky moment u bë protagonisti Di Giannantonio, i cili deri në fund arriti të triumfonte në këtë garë të trazuar. Joan Mir zuri vendin e dytë, ndërsa Fermin Aldeguer kompletoi podiumin në vendin e tretë.
Në xhiron e fundit pati një tjetër incident, këtë herë me Pedro Acostën që përfundoi në rrëzim dhe braktisi garën. Pas podiumit, në vendin e katërt përfundoi Francesco Bagnaia, ndërsa në vendin e pestë u rendit Marco Bezzecchi. Ky i fundit ruan kreun e klasifikimit të përgjithshëm për pilotë me 140 pikë. Jorge Martin renditet i dyti në klasifikim me 127 pikë, ndërsa Fabio Di Giannantonio mban vendin e tretë me 116 pikë.

