Gjatë Festivalit Ndërkombëtar të Filmit në Cannes u nënshkrua marrëveshja e parë e bashkëprodhimeve kinematografike midis Republikës së Shqipërisë dhe Republikës Franceze, e cilësuar si një moment historik për zhvillimin e industrisë kreative dhe për forcimin e bashkëpunimit kulturor mes dy vendeve. Marrëveshja krijon një kornizë institucionale për realizimin e projekteve të përbashkëta filmike dhe synon të hapë mundësi të reja për kineastët shqiptarë në tregun europian dhe ndërkombëtar.
Ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja, vlerësoi se marrëveshja përfaqëson një hap strategjik për kinemanë shqiptare dhe për sektorin kulturor në përgjithësi. Ai theksoi se gjatë takimit me Ministren e Kulturës së Francës, Catherine Pégard, zhvilluan një bisedë të ngrohtë mbi kinematografinë, reformat që po ndërmerren në këtë sektor, dhe mbi shkëmbimet e bashkëpunimet kulturore midis dy vendeve. Sipas Gonxhjas, marrëveshja e firmosur krijon një bazë të rëndësishme për bashkëprodhimet filmike dhe hap mundësi të reja për realizimin e projekteve shqiptare jashtë vendit.
Ministrja e Kulturës së Francës, Catherine Pégard, nënvizoi rëndësinë e afrimit kulturor dhe ndikimin që marrëveshja do të ketë në zhvillimin e kinemasë. Ajo u shpreh e lumtur për mundësinë e takimit dhe për të njohur afërsinë mes kulturave të dy vendeve. Pégard i quajti instrument të rëndësishëm marrëveshjen mes CNC-së franceze dhe Qendrës Kombëtare të Kinematografisë së Shqipërisë për realizimin e bashkëprodhimeve filmike dhe për forcimin e lidhjeve kulturore, duke shprehur shpresën që një ditë të shihet një film franko-shqiptar në Cannes.
Teksti i marrëveshjes përcakton se filmat e bashkëproducuar do të njihen si produksione kombëtare në të dy vendet, çka u jep atyre akses në skemat publike të financimit dhe në mbështetje për industrinë audiovizive në Shqipëri dhe Francë.

