Një grup hetimor në Paris do të hedhë dritë mbi vrasjen e gazetarit disident saudit Jamal Khashoggi në vitin 2018, pas paraqitjes së një ankese nga organizatat për të drejtat e njeriut kundër princit të kurorës Mohammed Bin Salman. Lajmin e përcjell AFP, që rikujton reagimin e ashpër ndërkombëtar ndaj ngjarjes së ndodhur në konsullatën saudite në Stamboll, për të cilën shërbimet amerikane të inteligjencës besojnë se princi i kurorës ishte përgjegjës drejtpërdrejt.
Khashoggi, gazetar i pavarur me shtetësi amerikane, kishte shkruar në Washington Post artikuj shumë kritikë ndaj Arabisë Saudite; ai u vra, u mbyt dhe trupi i tij u copëtua brenda ndërtesës së misionit diplomatik në Stamboll. Padia ndaj figurave të lidhura me vrasjen u paraqit fillimisht në gjykatat franceze nga DAWN—Demokracia për Botën Arabe Tani dhe Trial International gjatë vizitës së Mohammed Bin Salman në Francë në korrik 2022. Më pas, asaj i është bashkuar edhe një ankesë nga Reporterët pa Kufij.
Zyra Kombëtare e Prokurorisë Kundër Terrorizmit konfirmoi se hetues nga njësia për krimet kundër njerëzimit do të verifikojnë ankesën për torturë dhe zhdukje personi. Vendimi i nxjerrë erdhi pas viteve të përplasjesh ligjore, pasi prokuroria ishte më parë kundër hapjes së çështjes në Francë. Gjykata e apelit vendosi në favor të grupeve për të drejtat e njeriut, një lëvizje që këto organizata e përshkruan si një hap kyç drejt vendosjes së drejtësisë për gazetarin e vrarë.
Avokatë të përfaqësuesve të organizatave kanë dhënë deklarata mbi rëndësinë e hapjes së hetimit. Emmanuel Daoud, avokati i Reporterëve pa Kufij, e përshkroi krimin ndaj Khashoggi-t “si një krim të tmerrshëm, të vendosur dhe planifikuar në nivelin më të lartë të shtetit saudite,” që ekzekutoi një gazetar disident dhe zë të pavarur. Henri Thulliez, avokat i Trial International, deklaroi se “nuk duhet të ketë më asnjë pengesë për hapjen e një hetimi gjyqësor mbi këtë krim të tmerrshëm kundër Jamal Khashoggi-t.”

