SPAK ka goditur një grup të strukturuar kriminal që trafikonte heroinë në Shqipëri dhe Danimarkë. Sipas Prokurorisë së Posaçme, janë vënë në pranga dy anëtarë të grupit, me inicialet M. L., (alias G.) dhe E. L. Hetimet janë realizuar në bashkëpunim të ngushtë me autoritetet e drejtësisë daneze dhe Byronë Kombëtare të Hetimit (BKH).
Autoritetet daneze, në gusht 2023, regjistruan procedimin penal nr. 0100-71282-00102-23, të quajtur “Operacioni Bacchus”. Në hetim ishte i përfshirë një grup shtetasish shqiptarë dhe të huaj që, si pjesë e një organizate të strukturuar kriminale, zhvilluan aktivitete të trafikimit dhe shpërndarjes së heroinës në Mbretërinë e Danimarkës. Sipas prokurorisë, kjo veprimtari u zhvillua nga 1 tetori 2023 deri më 23 janar 2024 në shtatë episode, gjatë të cilave anëtarët e grupit importuan heroinë në Danimarkë përmes shtetit kufitar të Suedisë.
Lënda narkotike ishte përgatitur për shitje në tregun danez dhe ishte e përzier me substanca të tjera, si paracetamol dhe kafeinë, me qëllim maksimizimin e fitimeve. Hetimet paralele mes prokurorive të të dy vendeve kanë mundësuar identifikimin dhe procedimin në Danimarkë të tre personave, dy prej të cilëve shtetas shqiptarë dhe një i huaj. Në Shqipëri janë identifikuar dy shtetas të tjerë shqiptarë të përfshirë në aktivitetet e paligjshme në fushën e prodhimit dhe shitjes së narkotikëve.
Prokuroria njofton se hetimet vazhdojnë për administrimin e provave lidhur me përfshirjen e personave të tjerë që dyshohen se kanë marrë pjesë në këto veprimtari kriminale. Për momentin nuk jepen detaje të mëtejshme rreth pjesës tjetër të grupit, vendndodhjes së të dyshuarve të arrestuar apo masave të tjera proceduralo-penale që mund të jenë marrë.

