Nga 10 qershor 2026 hyn në fuqi fshirja e borxheve tatimore dhe doganore sipas ligjit nr. 86/2025. Tatimpaguesit mund të përfitojnë nga lehtësitë në varësi të periudhave tatimore dhe pagesave brenda afateve të përcaktuara.
Për periudhat deri më 31 dhjetor 2014 fshihen plotësisht detyrimet tatimore të papaguara, përfshirë gjobat dhe kamatëvonesat, por për kontributet e sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore nuk falet detyrimi principal. Për periudhën 1 janar 2015–31 dhjetor 2019 ka dy mundësi: fshihet 50% e detyrimit principal nëse 50% e mbetur paguhet njëherësh nga 10.06.2026 deri më 30.06.2026; ose fshihet 25% e detyrimit principal nëse 75% e mbetur paguhet nga 10.06.2026 deri më 31.12.2026. Në të dy rastet, gjobat dhe kamatëvonesat fshihen plotësisht. Për periudhën 1 janar 2020–31 dhjetor 2024 fshihen gjobat dhe kamatëvonesat me kusht që tatimi për periudhën përkatëse të paguhet i plotë (100% e principalit) nga 10.06.2026 deri më 31.12.2026.
Administrata Tatimore njofton se brenda 20 ditëve nga hyrja në fuqi e udhëzimit nr. 11, datë 14.05.2026, do të hartohet lista e plotë e subjekteve që përfitojnë dhe e atyre që nuk përfitojnë; njoftimi do t’u përcillet tatimpaguesve elektronikisht përmes sistemit “e-Filing”. Pas njoftimit të listave, Administrata do të vijojë me kompensimin automatik të tepricës kreditore të TVSH-së ose të tatimeve të tjera me detyrimet tatimore të subjekteve.
Sipas ligjit fshihen gjithashtu detyrimet për subjektet e çregjistruara në QKB ose me vendim gjykate deri më 31.12.2024 (përjashtuar kontributet e sigurimeve), gjobat për mosdeklarim ose deklarim të vonë të periudhave deri më 31.12.2024 nëse deklaratat dorëzohen deri më 30.06.2026, gjobat për dorëzim të vonuar të pasqyrave financiare dhe vendimit për destinimin e rezultatit, gjobat dhe interesat nga ndryshimet e listëpagesave për shkak të akteve me efekt prapavijues ose vendimeve gjyqësore të formës së prerë, dhe gjobat administrative për periudhat deri më 31.12.2024.
Nuk përfitojnë subjektet të dënuara me vendim gjyqësor të formës së prerë për vepra penale tatimore/doganore, ato në proces gjyqësor ose hetimi për këto vepra gjatë periudhës së zbatimit, dhe ato me vendim gjyqësor të formës së prerë në favor të Administratës Tatimore ose Doganore për detyrimet. Subjektet në ankim administrativ ose gjyqësor mund të përfitojnë vetëm nëse heqin dorë nga ankimi ose e drejta e padisë, duke paraqitur kërkesë zyrtare pranë Drejtorisë Rajonale Tatimore nga 10.06.2026 dhe jo më vonë se 30.11.2026, para kryerjes së pagesës. Administrata fton tatimpaguesit të verifikojnë situatën në “e-Filing” dhe të bëjnë pagesat sipas afateve.

