Kryeministri Edi Rama ndodhet sot në një vizitë zyrtare në Estoni dhe ka mbajtur një fjalim të përbashkët me kryeministrin estonez, Kristen Michal. Michal në fjalën e tij shprehu mbështetjen e Fortë të Estonisë për zgjerimin e Bashkimit Europian dhe për rrugëtimin e Shqipërisë drejt anëtarësimit në BE, duke theksuar se vendi i tij do ta vazhdojë këtë mbështetje. Ai u shpreh se Shqipëria duhet të vazhdojë me reformat për të siguruar të ardhmen e vendit dhe popullit, dhe se nëse Shqipëria përmbush angazhimet e saj, edhe BE do të veprojë në përputhje me to.
Michal theksoi se fluturimet e drejtpërdrejta krijojnë mundësi të reja për turizmin dhe bizneset, duke nënvizuar interesin e përbashkët për thellimin e marrëdhënieve ekonomike. Ai përmendi elemente të përbashkëta në bashkëpunimin dypalësh, përfshirë çështje si bashkëpunimi për çmimet digjitale, dhe theksoi një interes në rritje për inteligjencën artificiale.
Si vend me përvojë të theksuar digjitale, Estonia sipas Michalit tregon se teknologjia mund të reduktojë burokracinë dhe të përmirësojë shërbimet publike. Ai iu referua nismës së sapo prezantuar për inteligjencën artificiale si një investim të rëndësishëm në të ardhmen e ekonomisë dhe shprehu gatishmërinë për të thelluar bashkëpunimin në çështje digjitale dhe të inteligjencës artificiale midis dy vendeve.
Michal përmendi gjithashtu ministren për AI në Shqipëri, “Diella”, duke komentuar se Estonia duhet të ecë që t’ju kapë aty, si dhe falenderoi Edi Ramën për vizitën. Ai nënvizoi se vitin e ardhshëm do të shënohet 25-vjetori i marrëdhënieve diplomatike midis Shqipërisë dhe Estonisë dhe shprehu besimin se bashkëpunimi do të forcohet më tej.

