Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, e ngriti çështjen e Iranit gjatë bisedës me presidentin kinez Xi Jinping, por “ai nuk u kërkoi asgjë”, tha Sekretari i Shtetit, Marco Rubio, në një intervistë me NBC News në Pekin. Rubio deklaroi se SHBA-ja nuk po kërkon ndihmën e Kinës dhe se nuk ka nevojë për ndihmën e tyre: “Ne nuk po kërkojmë ndihmën e Kinës. Nuk kemi nevojë për ndihmën e tyre.”
Ai shpjegoi se çështja u ngrit për t’u sqaruar dhe për të bërë të qartë qëndrimin amerikan, duke theksuar se pozicioni i SHBA-së është i qartë: Irani nuk mund të ketë armë bërthamore. Rubio tha se qëllimi ishte që kinezët të kuptonin qëndrimin amerikan, pasi çështja është “dominuese”.
Pyetur nëse Kina bie dakord me këtë qëndrim, Rubio tha se kinezët përsëritën qëndrimin e tyre të mëparshëm, duke theksuar se Irani është nënshkrues i Traktatit të Mospërhapjes së Armëve Bërthamore dhe “për këtë arsye ata nuk duhet të kenë një armë bërthamore”. Sipas tij, pala kineze e përsëriti këtë pikë edhe atë ditë, ndoshta jo aq me forcë sa e shprehu ai vetë, por qëndrimi i tyre ishte i njohur. Rubio shtoi se asnjë vend nuk dëshiron ta shohë Iranin të ketë një armë bërthamore dhe se SHBA-të “po përpiqen të bëjnë diçka në lidhje me këtë”. Ai gjithashtu vuri në dukje se rusët do të shprehnin të njëjtin qëndrim.
Rubio tha se të dy vendet ranë dakord se Ngushtica e Hormuzit nuk duhet të militarizohet. Ai e përshkroi si të rëndësishme faktin që ekzistonte një aleancë ose të paktën një marrëveshje mbi këtë pikë. Sipas tij, pala kineze deklaroi se nuk është në favor të militarizimit të Ngushticës së Hormuzit dhe nuk është në favor të një “sistemi taksor”, dhe se ky është po ashtu qëndrimi i SHBA-së.
(Ripublikuar nga Top Channel)

