Presidenti i Federatës së Futbollit të Iranit, Mehdi Taj, njoftoi se ende nuk është lëshuar asnjë vizë nga Shtetet e Bashkuara për delegacionin iranian, ndërsa afron nisja e Kupës së Botës FIFA 2026. Sipas raportimeve të mediave iraniane dhe agjencisë ANSA, çështja e hyrjes së drejtuesve dhe anëtarëve të kombëtares në territorin amerikan mbetet e pazgjidhur, dhe Federata nuk ka marrë ndonjë komunikim zyrtar nga pala amerikane për personat që mund të pajisen me viza.
Taj deklaroi për agjencinë IRNA se “nuk kemi marrë asnjë njoftim se kush ka përfituar vizë. Deri tani nuk është lëshuar asnjë vizë”. Ai konfirmoi gjithashtu se në ditët në vijim do të zhvillohet një takim i rëndësishëm me FIFA-n, ku Irani do të kërkojë garanci konkrete për pjesëmarrjen normale në turne. “Do të kemi një takim vendimtar me FIFA-n nesër ose pasnesër. Ata duhet të na japin garanci, sepse çështja e vizave ende nuk është zgjidhur,” theksoi presidenti i federatës.
Situata u ndërlikua pas incidentit të javëve të fundit, kur Mehdi Taj u ndalua në kufirin e Kanadasë për shkak të lidhjeve të tij të mëparshme me Gardën Revolucionare Iraniane, të njohur si Pasdaranët. Ky episod është përmendur në kontekstin e vështirësive administrative dhe sigurisë që mund të ndikojnë në lëshimin e vizave për zyrtarët e ekipit.
Ndërkohë, sipas procedurave aktuale për aplikimin e vizave, futbollistët iranianë pritet të udhëtojnë drejt Ankarasë për të kryer marrjen e shenjave të gishtërinjve, pjesë e procesit të aplikimit. Taj përsëriti se federata nuk ka kontakt direkt me autoritetet amerikane për zgjidhjen e çështjes dhe vuri theksin te përgjegjësia e FIFA-s për garantimin e pjesëmarrjes së ekipit: “Ne jemi kualifikuar për Kupën e Botës dhe është detyrë e FIFA-s ta zgjidhë”. (Top Channel)

