Rrugët e Barcelonës u mbushën me festë më 11 maj 2026 pas fitimit të titullit të 29-të të La Ligës, por një veprim i yllit 18-vjeçar Lamine Yamal e zhvendosi vëmendjen drejt politikës ndërkombëtare. Gjatë paradës, Yamal mori dhe valëviti një flamur të Palestinës para qindra mijëra fansave, një moment që u përhap shpejt dhe shkaktoi përplasje të ashpër politike.
Në Izrael reagimet ishin të forta: ministri i Sigurisë Kombëtare, Itamar Ben-Gvir, e sulmoi drejtpërdrejt, duke deklaruar se “Kushdo që zgjedh të identifikohet me flamurin e terrorizmit dhe e valëvit atë në mes të një feste, nuk duhet të habitet nga urrejtja dhe reagimi i izraelitëve. Sporti nuk mund të jetë një strehë për nxitësit e dhunës.” Televizioni izraelit Channel 12 e akuzoi lojtarin se “ka zgjedhur të shfrytëzojë një paradë fitoreje dhe një platformë me miliona ndjekës për të shpërndarë agjenda politike përçarëse. Ky nuk është më futboll, është një provokim i pastër.” Gazetarë dhe aktivistë izraelitë në rrjetet sociale e cilësuan veprimin “të pështirë” dhe bënë thirrje që ai të ndëshkohet përpara Botërorit 2026.
Ndërkaq, në Rripin e Gazës gjeti përkrahje: artistët palestinezë realizuan një murale të madhe në kampin e refugjatëve Al-Shati, të pikturuar mbi rrënojat e një ndërtese të shkatërruar. Në përurim artistët thanë: “Kjo pikturë është dhurata jonë për Lamine Yamal. Ai tregoi se njerëzimi vjen para famës. Për ne në Gazë, ai është tashmë një djalë i Palestinës, sepse guxoi të na shihte kur bota mbyllte sytë.”
Pas presionit mediatik, Yamal dha një deklaratë në të cilën qëndroi i palëkundur për veprimin e tij. Ai tha: “Veprimet e mia udhëhiqen vetëm nga empatia njerëzore dhe ndjenja e drejtësisë. Jam krenar për identitetin tim, për rrënjët e mia dhe për besimin tim musliman.” Për t’u përgjigjur kritikave shtoi: “Ata që përdorin fenë apo origjinën time për të vjellë vrer dhe për të më sulmuar, thjesht shpërfaqin injorancën dhe racizmin e tyre. Futbolli është për të ndjerë dhimbjen e tjetrit dhe për të bashkuar njerëzit, jo për të qëndruar në heshtje.”

