Paris Saint-Germain u shpall kampion i Francës pas fitores ndaj Lens, duke arritur titullin e 14-të në histori dhe të pestin radhazi. Mes lojtarëve të skuadrës së parizienëve është edhe mesfushori 18-vjeçar Dro Fernandez, i cili mbrëmë festoi titullin e dytë kampion të tij brenda këtij sezoni.
Në pjesën e parë të sezonit, Dro luajti 89 minuta me Barcelonën, kohë e mjaftueshme sipas rregullores së kampionatit spanjoll për t’u konsideruar kampion, pasi rregullorja kërkon të paktën një minutë aktivizim dhe që futbollisti të ketë qenë i federuar rregullisht. Barcelona siguroi titullin e La Liga-s në El Clasicon ndaj Real Madridit më 10 maj. Dro debutoi me skuadrën e parë të Barcelonës më 28 shtator 2025 në ndeshjen e fituar 2-1 ndaj Real Sociedad dhe më pas mori minuta në takimet me Elche, Athletic Bilbao dhe Atletico Madrid. Ai shënoi edhe debutimin e tij në Ligën e Kampioneve në fitoren 6-1 ndaj Olympiacos, ku regjistroi një asist.
Në muajin janar, Dro u transferua te Paris Saint-Germain për pak më shumë se 8 milionë euro. Me PSG-në ai u aktivizua në 12 ndeshje në kampionat dhe në Ligën e Kampioneve, duke shënuar në fitoren 4-0 ndaj Nice. Për talentin spanjoll, i cili sezonin e kaluar fitoi UEFA Youth League me Barcelonën, titujt e La Liga-s dhe Ligue 1 përbëjnë trofetë e fituar me skuadrat e para. Skuadra e tij e re është e angazhuar në finalen e Ligës së Kampioneve, që do të zhvillohet më 30 maj kundër Arsenalit.
Përpara rastit të Dro, edhe Kvicha Kvaratskhelia festoi dy tituj kampionë brenda një sezoni. Në kampionatin 2024/25, gjeorgjiani u aktivizua me Napolin deri në mesin e janarit dhe më pas u transferua te Paris Saint-Germain; të dyja skuadrat fituan përkatësisht Serie A dhe Ligue 1, duke i siguruar Kvaratskhelias dy tituj gjatë të njëjtit sezon.

