ODIHR publikon një opinion provizor mbi projektligjin e ri për financimin e partive politike në Shqipëri, duke kërkuar më shumë transparencë dhe kontrolle më të forta mbi donacionet. Ekspertët ndërkombëtarë theksojnë nevojën për rregulla më të qarta lidhur me financimet nga palë të treta, huatë dhe kontributet në natyrë, si dhe për sanksione më të rrepta ndaj donacioneve të paligjshme. Raporti gjithashtu rekomandon rritjen e rolit mbikëqyrës të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) për të siguruar zbatim efektiv të ligjit.
Mes rekomandimeve kryesore është që gjobat për donacionet që tejkalojnë kufijtë e lejuar të parashikohen në projektligj si shumëfish i shumës që tejkalon kufirin e përcaktuar, duke synuar proporcionalitetin e sanksioneve. Raporti kërkon sqarimin dhe përcaktimin më të qartë të shkeljeve të përmendura në nenin 21(ë) dhe dallimin e tyre nga shkeljet e nenit 21(d), me qëllim garantimin e sigurisë juridike, parandalimin e zbatimit të paqëndrueshëm ose arbitrar dhe sigurimin e proporcionalitetit të ndëshkimeve.
Ndër rekomandimet tjera është përcaktimi i qartë i kritereve dhe procedurave që rregullojnë kufizimet mbi pjesëmarrjen në zgjedhje për shkak të detyrimeve financiare të papaguara, duke përfshirë garanci për rastet që janë ende në shqyrtim gjyqësor, për të mbrojtur sigurinë juridike dhe të drejtën për të marrë pjesë në zgjedhje. Raporti sugjeron gjithashtu zgjerimin e listës ekzistuese të sanksioneve në projektligj për të përfshirë të gjitha detyrimet thelbësore të përcaktuara në të, qoftë duke plotësuar listën sipas nenit 21, qoftë duke futur një klauzolë të përgjithshme sanksionuese që mbulon shkeljet që nuk ndëshkohen shprehimisht.
Po ashtu rekomandohet futja e sanksioneve të qarta për marrjen e donacioneve nga burime të ndaluara dhe sqarimi i detyrimeve të partive për të verifikuar ligjshmërinë e donacioneve, duke përfshirë procedurat për trajtimin dhe transferimin e kontributeve të paligjshme ose në natyrë. Fonte: Top Channel.

