Një libër i ri i gazetarit të Paris Match, Florian Tardif, ka shkaktuar debat në Francë, duke zbuluar prapaskena të marrëdhënies mes presidentit Emmanuel Macron dhe bashkëshortes së tij, Brigitte Macron. Në librin me titull “Një çift (pothuajse) perfekt”, autori pretendon se episodi i majit 2025 në aeroportin e Hanoit, ku Brigitte u filmua duke goditur lehtë presidentin, lidhej me mesazhe të shkëmbyera mes Macron dhe aktorës iraniane Golshifteh Farahani.
Tardif thotë se Brigitte kishte parë në telefonin e bashkëshortit një mesazh nga Farahani, ku Macron i shkruante: “Je shumë e bukur”. Sipas gazetarit, këto mesazhe ishin mjaft intime dhe krijuan tensione në çift, të cilat kulmuan me debatin e filmuar në Hanoi. Ai pretendon gjithashtu se Macron kishte krijuar një “afrim platonik” me aktoren gjatë disa muajve dhe se kishte bërë verifikime të shumta për informacionin, duke kundërshtuar që bëhej fjalë për thashetheme. Tardif deklaroi se emri u përmend për shkak të zërave që qarkullonin në Paris dhe se ia kishte bërë të qartë Pallatit Elysee se kjo nuk ishte versione i tyre.
Zyra e Zonjës së Parë reagoi duke mohuar kategorikisht pretendimet. Një zëdhënëse e Brigitte Macron tha për Le Parisien se ajo kishte biseduar personalisht me autorin më 5 mars dhe kishte hedhur poshtë pretendimet lidhur me mesazhet. “Brigitte Macron e mohoi kategorikisht këtë informacion dhe sqaroi se ajo nuk e kontrollon kurrë telefonin celular të bashkëshortit të saj,” tha zëdhënësja, dhe sipas saj ky qëndrim nuk është reflektuar në libër.
Gazetari pohoi se mesazhet që i ishin treguar ishin personale dhe se ato kishin shkaktuar tensione në marrëdhënien e çiftit. Ai gjithashtu deklaroi se Pallati Elysee më vonë u pendua për mënyrën si reagoi publikisht ndaj episodit dhe se sot mendonin se mund ta kishin menaxhuar ndryshe situatën, duke krijuar imazhin e një çifti normal dhe jo të një çifti perfekt.

