Kryeministri Edi Rama rrëfeu sot për herë të parë, në një rrëfim për Nikoll Lesin, një takim me Sali Berishën në vitin 1992, kur Berisha ishte President. Rama tha se i kishte shkruar Berishës për ta pritur piktorin e njohur shqiptar nga Mali i Zi, Gjelosh Gjoka, i cili jetonte në Gjermani dhe kishte dëshirë ta takonte “Doktorin”. Berisha pranoi të takonte Gjokën me kusht që Rama të ishte po ashtu në takim.
Rama rrëfeu se, pavarësisht rezervave të tij si gazetari i “Koha Jonë”, ai shoqëroi Gjokën në Presidencë dhe u ulën në zyrë. Gjatë takimit Berisha iu drejtua kryesisht Gjokës, por Rama dëgjoi komentet e tij. Presidenti e pyeti piktorin nëse kishte parë parlamentin, duke iu referuar Parlamentit të parë pas vitit 1992 që ishte i përbërë kryesisht nga deputetë të PD-së. Kur Gjoka u përgjigj se e kishte parë, Berisha reagoi ashpër duke thënë: “Aty janë të gjithë me lakrën e komunizmit në kokë”.
Sipas rrëfimit të Ramës, Berisha vazhdoi me kritika të forta ndaj deputetëve të grupit të PD-së, duke i përmendur me emra dhe duke u drejtua ndaj materialeve të shtypit që kishte mbi tavolinë, përfshirë edhe “Koha Jonë”. Rama përshkroi se Berisha i “bëri copash” ata dhe më pas mori gazetën nga tavolina. Në një nga shprehjet e përsëritura gjatë bisedës, Berisha u shpreh: “E shikon këtë ti, këtu është ajka e trurit të këtij vendi”, duke nënvizuar se, sipas tij, në vend që të punonin për të mirën e vendit, ata “rrinë atje, edhe bëjnë gërr-gërr-gërr gjithë kohës dhe ankohen”.
Rama përmendi gjithashtu se Berisha shprehu një ndjenjë frustrimi duke thënë se “kanë të drejtë” por edhe duke vënë në dyshim mundësinë e zëvendësimit të tyre: “po ku t’i gjej unë, se mos vijnë këta”. Në përfundim të rrëfimit Rama komentoi se ai e pa Berishën si “një mashtro i një niveli më të lartë” dhe sqaroi se ky episod kishte ndodhur në 1992. Top Channel.

