Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Drejtues Madhor Skender Hita, së bashku me delegacionin e tij, morën pjesë në një takim të Task-Forcës të mikpritur nga Policia e Kosovës, me përfaqësues nga agjencitë ligjzbatuese të Mbretërisë së Bashkuar dhe policitë e Maqedonisë së Veriut dhe Malit të Zi. Në fokus të diskutimeve ishte koordinimi rajonal për të përballuar migracionin e paligjshëm dhe rrjetet kriminale ndërkufitare.
Hita theksoi se koordinimi në kohë reale, shkëmbimi i informacionit dhe sinkronizimi i veprimeve operative janë mekanizma të domosdoshëm për të sjellë rezultate konkrete në mbrojtjen e qytetarëve, forcimin e sigurisë kufitare dhe goditjen e rrjeteve kriminale të përfshira në migracionin e paligjshëm. Ai shprehu angazhimin e Policisë së Shtetit për të forcuar dhe zgjeruar partneritetin strategjik, duke vënë theksin tek bashkëpunimi rajonal, shkëmbimi i inteligjencës dhe operacionet e koordinuara si mënyra për të arritur rezultate të qëndrueshme.
Gjatë konferencës, Kosova vlerësoi kontributin e Policisë shqiptare në Task-Forcë dhe për anëtarësimin e Policisë së Kosovës në të. Po ashtu, Zëvendësdrejtoresha e Inteligjencës së Home Office në Mbretërinë e Bashkuar, Vikki Pullen, vlerësoi angazhimin e policive rajonale brenda strukturës së Task-Forcës.
Pjesëmarrësit ranë dakord për thellimin dhe intensifikimin e koordinimit operacional ndërmjet tyre, me qëllim përmbushjen efektive të objektivave të përcaktuara në kuadër të Task-Forcës. Në takimin u diskutuan rezultatet e operacioneve të përbashkëta policore të zhvilluara nën Task-Forcën e Përbashkët për Migracionin, të koduara “Marewood”, “Esterwick”, “Nomada” dhe “Venton”. Këto operacione kanë sjellë goditje ndaj disa rrjeteve kriminale të angazhuara në transportimin e emigrantëve, lëvizjen ilegale drejt vendeve të BE-së dhe veprime të lidhura me pastrimin e parave.
Takimi synoi, sipas pjesëmarrësve, jo vetëm analizimin e rezultateve të deritanishme, por edhe ndërtimin e hapave konkretë drejt një qasjeje më të unifikuar, proaktive dhe efikase në përballjen me migracionin e paligjshëm. Top Channel

