Muzeu Arkeologjik i Durrësit është ri-hapur, duke rikthyer emocione për ndërtuesit dhe publikun. Mes qindra vizitorëve, vlen të përmendet 82-vjeçari Jashar Luku, një prej inxhinierëve që hodhi themelet e godinës në vitin 1973, i cili pas gjysmë shekulli u rikthye për një takim me historinë dhe nderoi arkeologun Vangjel Toçi. Luku shprehu ndjenjat e tij për rikthimin: “Mbas 53 vitesh po hyj këtu. Është mrekulli sot… e vlen dhe më shumë se kaq. Durrësi 2500-vjeçar e më shumë është këtu. Vangjel Toçi, ikona e Durrësit meriton shumë të jetë në bashë të vendit, busti i tij duhet të ngrihet në majë të ‘Velierës’”.
Hapja e muzeut ka shkaktuar interes të lartë, me vendas dhe të huaj që vizitojnë çdo ditë për të parë ekspozitën e rinovuar dhe historinë mijëvjeçare të qytetit. Drejtori i Qendrës Muzeore Durrës, Alban Ramohitaj, njoftoi se muzeu do të jetë i hapur pa biletë për dy javë, duke lejuar hyrje të lirë për të gjithë që duan ta shikojnë muzeun e rinovuar.
Qendra e vëmendjes gjatë rihapjes mbetet mozaiku simbol “Bukuroshja e Durrësit”, i cili aktualisht nuk është ende i hapur për publikun. Mozaiku është kthyer në Durrës pasi qëndroi për rreth 40 vjet në Tiranë dhe rivendosja e tij po kryhet me kujdes të madh. Ramohitaj tha se “Bukuroshja u kthye në Durrës… është një punë delikate, po bëhet rivendosja si një pazëll dhe do të jetë një vepër që do të nderojë muzeun dhe gjithë qytetin e Durrësit”.
Procesi i restaurimit është besuar restauratorëve me përvojë, të cilët e shohin këtë detyrë si një përgjegjësi ndaj trashëgimisë kulturore kombëtare. Muzeu do të vazhdojë të pranojë vizitorë me hyrje të lirë edhe në ditët në vazhdim, duke shënuar fillimin e një sezoni të ri turistik dhe kulturor për qytetin e lashtë.

