Luis Suarez nuk do të ketë një lamtumirë të fundit me kombëtaren e Uruguait në Kupën e Botës këtë verë, pasi sulmuesi 39-vjeçar raportohet të jetë lënë jashtë listës paraprake me 55 lojtarë të trajnerit Marcelo Bielsa. Sipas gazetarit Rodri Vazquez, Suarez nuk është përfshirë në planet e teknikut argjentinas, një vendim që ka shkaktuar habi në Uruguay.
Mungesa e tij vjen pas një periudhe tensioni mes sulmuesit dhe stolit drejtues. Suarez u tërhoq nga përfaqësuesja në shtator 2024, por muajin pasues kritikoi ashpër Bielsën, duke pretenduar se trajneri kishte “përçarë të gjithë grupin” dhe se disa lojtarë po mendonin të largoheshin nga kombëtarja. Në një intervistë për “DSports” ai deklaroi se lojtarët kishin arritur në limit për shkak të metodave të trajnerit.
Ai kritikoi gjithashtu trajtimin ndaj mesfushorit Agustin Canobbio gjatë Copa America 2024, duke thënë se lojtari ishte detyruar të stërvitej si mbledhës topash dhe si rezervë në stërvitje. Suarez dënoi, sipas deklaratave të tij, praktika ku stafi nuk lejohej të përshëndeste apo të hante me ekipin.
Megjithatë, më 9 maj Suarez ndryshoi qëndrim dhe deklaroi se “nuk do t’i thoshte kurrë jo” një rikthimi në kombëtare nëse Uruguai do të kishte nevojë për të. Ai tha se ishte tërhequr për t’i hapur rrugë brezit të ri dhe pranoi se kishte thënë disa gjëra që nuk duhej, duke kërkuar falje ndaj personave që duhej. Suarez pohoi gjithashtu se ende ndjente dëshirën për të konkurruar dhe pasionin që shfaqet në fushë.
Sulmuesi i Inter Miami ka realizuar 69 gola në 143 ndeshje me fanellën e Uruguait dhe ka marrë pjesë në katër Kupa Bote që prej vitit 2010. Sipas raportimeve, ai nuk do të jetë pjesë e Botërorit të pestë në karrierë. Uruguai do të nisë aventurën në Kupën e Botës më 15 qershor ndaj Arabisë Saudite në Miami dhe në Grupin H do të përballet edhe me Kepin e Gjelbër dhe Spanjën.

