Cesc Fabregas, trajneri i klubit Como, në një intervistë për emisionin “Partitazo de Cope” ka kritikuar mënyrën e punës në sektorët e të rinjve në Itali dhe ka theksuar se zgjidhjet duhet të nisin nga puna me moshat e reja dhe zhvillimi individual i lojtarëve. Ai vlerëson se ekziston një fokus i tepruar te taktikat dhe rezultatet, gjë që po pengon formimin e futbollistëve të rinj dhe rritjen e cilësisë së lojës në nivel kombëtar.
Fabregas thekson se baza e gjithçkaje është puna në akademi, vlerat dhe besimet që transmetohen tek të rinjtë. Siç shprehet ai: “Gjithçka fillon nga poshtë, nga akademitë, nga vlerat dhe besimet që dëshiron t’u transmetosh lojtarëve të rinj. Nuk mund t’u mësosh vetëm taktika fëmijëve 10-vjeçarë dhe t’i detyrosh të luajnë vetëm për të fituar”. Sipas tij, trajnimet që i bëjnë fëmijët të mendojnë kryesisht për fitore dhe të ndjekin rregulla taktike shumë strikte në moshë të hershme kufizojnë hapat e natyrshëm të zhvillimit dhe mund të prishin procesin e krijimit të lojtarëve kreativë dhe të pavarur.
Ish-mesfushori spanjoll nënvizon nevojën për më shumë liri në lojë dhe për më shumë zhvillim të duelit individual. Ai argumenton se duhet të ketë më shumë situata një kundër një në stërvitje dhe ndeshje, si dhe më shumë mundësi për të shfaqur lidership dhe lojë individuale. “Na duhen më shumë situata një kundër një, më shumë lidership dhe më shumë lojë individuale. Taktikat e ekipit mësohen shpejt, por interpretimi i lojës duhet të nisë që herët”, tha Fabregas, duke përsëritur se interpretimi personal i lojës duhet të kultivohet që në moshë të re.
Ai paralajmëron se nëse Italia nuk përshtatet shpejt me këtë qasje, rrezikon të mbetet pas vendeve si Spanja, Holanda dhe Portugalia, që sipas tij avancojnë me ritme më të shpejta në zhvillimin e talenteve të rinj. “Nëse mbërrin me vonesë në këtë proces dhe humbet kohë, atëherë gjithçka bëhet shumë më e vështirë”, përfundoi trajneri i Comos.

