Presidenti Donald Trump u nis drejt Kinës për një takim me presidentin Xi Jinping, pas një seance deklaratash për gazetarët në Shtëpinë e Bardhë ku komentoi çështje të ndryshme ndërkombëtare, veçanërisht marrëdhëniet me Pekinin dhe situatën me Iranin. Ai e përshkroi SHBA-në dhe Kinën si “dy superfuqitë e botës” dhe shfaqi tone pozitive për marrëdhëniet me Pekinin në prag të vizitës së tij. Trump nënvizoi se do të diskutojë gjatë me Xi për luftën në Iran, megjithatë shprehu dyshim se Kina do të ndihmojë Uashingtonin në zgjidhjen e krizës në Lindjen e Mesme.
Në lidhje me Iranin, presidenti deklaroi se udhëheqësit e Teheranit “ose do të bëjnë gjënë e duhur, ose ne do ta përfundojmë punën”, duke shtuar se Shtetet e Bashkuara “e kanë Iranin nën kontroll të plotë”. Ai paralajmëroi se “ose do të arrihet një marrëveshje, ose ata do të shkatërrohen” dhe theksoi se “Irani nuk mund të ketë armë bërthamore”, duke vënë në dukje se palët “kanë rënë dakord për këtë”, por sipas tij realiteti ende nuk përputhet me komunikimin publik. Trump gjithashtu vlerësoi rolin e Pakistanit, duke cilësuar zyrtarët e tij si “ndërmjetës të mrekullueshëm” në përpjekjet diplomatike rreth çështjeve rajonale.
Duke folur për vizitën e pritshme të Xi në Shtetet e Bashkuara, presidenti tha se e pret atë drejt fundit të vitit dhe shprehu dëshirën që salla e re e banketeve në Shtëpinë e Bardhë të përfundojë deri atëherë. Gjatë bisedave me gazetarët, ai reagoi ashpër ndaj një pyetjeje për koston e projektit të sallës së banketeve, duke përdorur tone ofenduese ndaj gazetarit që e sfidoi vlerësimin e tij të kostove. Mediat ndërkombëtare raportojnë se Zonja e Parë, Melania Trump, nuk do ta shoqërojë presidentin në këtë vizitë në Kinë.

