Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Skender Hita, zhvilloi një vizitë zyrtare në Policinë e Kosovës, ku u takua me Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Kosovës, Kolonel Gazmend Hoxha. Në takim ishte i pranishëm edhe Ambasadori i Republikës së Shqipërisë në Kosovë, Petrit Malaj, si dhe drejtues të lartë të të dy policive. Hita theksoi se Prishtina e ndjen veçanërisht dhe se vizita e tij e parë zyrtare si Drejtor i Përgjithshëm nuk është thjesht një detyrim protokollar, por një privilegj. Ai falënderoi Policinë e Kosovës për mikpritjen dhe rikonfirmoi gatishmërinë e Policisë së Shtetit për të thelluar bashkëpunimin në fusha me interesa të përbashkëta.
Gjatë takimit u vlerësua niveli shumë i mirë i bashkëpunimit ndërmjet dy institucioneve policore dhe rezultatet konkrete të arritura në luftën kundër kriminalitetit. Kolonel Gazmend Hoxha nënvizoi rëndësinë e koordinimit të vazhdueshëm dhe bashkëpunimit operacional ndërmjet dy policive si faktor kyç për garantimin e sigurisë, ruajtjen e rendit publik dhe forcimin e sundimit të ligjit. Të dy drejtuesit diskutuan prioritetet strategjike të institucioneve, sfidat aktuale të sigurisë dhe nevojën për rritje të mëtejshme të bashkëpunimit në luftën kundër krimit të organizuar, krimit ndërkufitar dhe fenomeneve të tjera që kërcënojnë sigurinë rajonale.
Hita vuri në dukje se krimi është më i organizuar, më i sofistikuar dhe pa kufij, dhe për këtë arsye përgjigjja duhet të jetë më e shpejtë, më e koordinuar dhe më e fortë. Ai theksoi se Shqipëria dhe Kosova kanë ndërtuar një partneritet model mes dy policive dhe shprehu se ky bashkëpunim do të vijojë të forcohet në shërbim të sigurisë së qytetarëve.
Të dy drejtuesit vlerësuan bashkëpunimin e deritanishëm në shkëmbimin e informacionit, hetimet dhe operacionet e përbashkëta policore, si dhe në menaxhimin e sigurisë kufitare, duke theksuar se rezultatet e arritura tregojnë besim reciprok dhe profesionalizëm. Takimi u mbyll me zotimin e përbashkët për avancimin dhe zgjerimin e bashkëpunimit bilateral në fusha të tjera me interes të ndërsjellë.

