Vladimir Putin deklaroi të shtunën se “lufta në Ukrainë është drejt fundit.” Deklaratën e përsëriti zëdhënësi i Kremlinit, Dimitri Peskov, i cili ftoi drejtuesit e BE-së të caktojnë negociatorët nëse nuk iu pëlqen propozimi rus për ish-kancelarin gjerman Gerhard Schrëder.
E përditshmja britanike The Guardian vë theksin tek pesë motive që, sipas saj, po nxisin presidentin rus të kërkojë përfundimin e konfliktit. E para: Rusia po humbet vrullin e fushëbetejës. Pas kundërsulmit të dështuar të Ukrainës në verën e 2023, Moska kishte filluar të pushtonte territorin ukrainas, por në prill, sipas Institutit për Studimin e Luftës, Rusia humbi kontrollin e 45 miljeve katrorë të Ukrainës—herën e parë që nga gushti i vitit 2024 që pëson një humbje neto territori. Një fitore e ngadaltë për Moskën duket më pak e sigurt.
E dyta: viktimat ruse mund të tejkalojnë zëvendësimet. Ukraina thotë se gjatë pesë muajve të fundit ka vrarë ose plagosur më shumë ushtarë rusë sesa po rekrutohen; shifrat bazohen, sipas Ukrainës, në pamjet e luftimeve, edhe pse vështirë të verifikohen. E treta: ekonomia e Rusisë po lëkundej në fillim të 2026-ës, por rritja e papritur e çmimeve të naftës, e shkaktuar nga sulmi i Donald Trump ndaj Iranit, ka nxitur një rimëkëmbje. Megjithatë, sulmet e fundit me raketa me rreze të gjatë dhe dronë nga Ukraina ndaj terminaleve ruse të eksportit kanë ulur eksportin.
E katërta: Ukraina po bëhet një superfuqi raketash dhe dronësh. Suksesi është demonstruar nga sulmet e thella ndaj infrastrukturës ruse të naftës në dy javët e fundit, përfshirë një rafineri 930 milje nga vija e frontit. Rusia madje kishte frikë se Ukraina mund të shënjestronte paradën e fitores në Sheshin e Kuq gjatë fundjavës, çka bëri që Zelenskyy të lëshonte një dekret ku thuhej se do të lejonte që eventi të vazhdonte. E pesta: Putin nuk është i sigurt se do të ketë paqe pasi të aneksojë ushtarakisht Donbasin dhe shpreson të mund ta bindë Trumpin që ta detyrojë Zelenskyn të heqë dorë zyrtarisht nga ky territor. Kjo ofertë, thuhet, u bë në samitin e Alaskës në gusht; ndërsa SHBA-të e morën në konsideratë, Trump nuk ia imponoi dot Ukrainës lënien e këtij territori. Top Channel.

