Shtetet e Bashkuara dhe Danimarka po zhvillojnë bisedime të avancuara për zgjerimin e pranisë ushtarake amerikane në Groenlandë, si pasojë e shqetësimeve rreth rritjes së aktivitetit rus dhe kinez në Arktik. Raportimet e BBC-së tregojnë se kontaktet diplomatike janë intensifikuar muajt e fundit, pas deklaratave të presidentit amerikan Donald Trump mbi rëndësinë strategjike të ishullit. Uashingtoni raportohet se po kërkon krijimin e tre bazave të reja ushtarake në jug të Groenlandës, me fokus monitorimin e lëvizjeve detare të Rusisë dhe Kinës në korridorin mes Groenlandës, Islandës dhe Mbretërisë së Bashkuar.
Trump kishte deklaruar më parë se SHBA-të duhet ta “zotërojnë” Groenlandën për të shmangur rritjen e ndikimit rus apo kinez, duke sugjeruar se kjo mund të bëhet “në mënyrën e lehtë ose të vështirë”. Megjithatë, burime diplomatike theksojnë se gjatë negociatave nuk është diskutuar zyrtarisht ndonjë skenar pushtimi apo kontrolli të territorit. Shtëpia e Bardhë ka konfirmuar zhvillimin e bisedimeve me Danimarkën dhe Groenlandën, dhe Ministria e Jashtme daneze pranoi ekzistencën e një kanali aktiv diplomatik me Uashingtonin.
Sipas informacioneve, një nga bazat e reja mund të ndërtrohet në Narsarsuaq, ku më parë ka funksionuar një bazë ushtarake amerikane. Analistët vlerësojnë se objektet e tjera do të vendosen pranë porteve dhe aeroporteve ekzistuese për të ulur kostot e infrastrukturës. Bisedimet po zhvillohen kryesisht nga një grup i vogël zyrtarësh në Uashington, me Michael Needham që raportohet të ketë një rol kyç në përpjekjet për të arritur një marrëveshje që plotëson kërkesat e administratës amerikane pa prekur “vijat e kuqe” të Danimarkës.
Në negociata janë përfshirë gjithashtu ambasadori danez në SHBA, Jesper Møller Sørensen, dhe diplomati i Groenlandës në Uashington, Jakob Isbosethsen. Sipas burimeve, të paktën pesë takime janë zhvilluar që nga mesi i janarit. Kryeministri i Groenlandës, Jens Frederik Nielsen, njoftoi se kontaktet me SHBA-në “kanë bërë hapa në drejtimin e duhur” dhe theksoi se sovraniteti i Groenlandës nuk është në diskutim. Aktualisht, SHBA-të operojnë në Groenlandë Baza Hapësinore Pituffik, e përdorur për monitorimin e kërcënimeve raketore në kuadër të sistemit NORAD.

