Shtëpia e Bardhë mohoi pretendimet se presidenti amerikan Donald Trump kishte fjetur gjatë një aktiviteti zyrtar në Zyrën Ovale, pas publikimit të fotos dhe videove që e shfaqnin me sytë mbyllur dhe kokën e përkulur. Imaget u përhapën në rrjetet sociale pas një aktiviteti për shëndetin e nënave, organizuar me rastin e Ditës së Nënës, që u zhvillua të dielën në Shtetet e Bashkuara.
Stafi i komunikimit reagoi menjëherë ndaj postimeve të gazetarëve dhe përdoruesve që sugjeronin se presidenti kishte dremitur gjatë evenimentit. Llogaria “Rapid Response” e Shtëpisë së Bardhë u përgjigj në platformën X ndaj një postimi të gazetarit të Reuters, Idris Ali, duke shkruar: “Ai thjesht po i mbyllte sytë, idiot”. Gazetari Ali kishte publikuar një foto të Trumpit, por nuk kishte pretenduar se presidenti ishte në gjumë; ai e shoqëroi foton me përshkrimin se “Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, merr pjesë në një aktivitet mbi shëndetin e nënave në Zyrën Ovale të Shtëpisë së Bardhë në Uashington, D.C., më 11 maj 2026”.
Pas reagimit të ashpër nga Shtëpia e Bardhë, në rrjetet sociale u shfaqën dhjetëra komente që ironizonin mënyrën se si administrata trajtoi fotot. Ndër postimet e shpërndara ishte edhe një tweet që komentonte në mënyrë sarkastike për mundësinë që Trump të binte në gjumë gjatë transmetimit.
Gjatë aktivitetit, presidenti gjithashtu komentoi mbi zhvillimet ndërkombëtare: ai deklaroi se armëpushimi me Iranin ndodhej “në një pikë kritike” dhe propozimin e fundit të Teheranit e quajti “mbeturina”. Nuk është hera e parë që Trump akuzohet se ka dremitur gjatë aktiviteteve publike; kritikat ndaj tij janë shtuar, veçanërisht pasi gjatë viteve të fundit ai ka përdorur shpesh nofkën “Joe i përgjumur” për ish-presidentin Joe Biden.

