Policia e Shtetit përfundoi me sukses operacionin policor të koduar “Banka e Rreme 2”, si pjesë të veprimtarisë për goditjen e krimit kibernetik dhe mbrojtjen nga mashtrimet online. Operacioni u zhvillua pas identifikimit të një fushate mashtruese të tipit “smishing”, ku qytetarë të ndryshëm morën mesazhe SMS në emër të një institucioni bankar të nivelit të dytë. Në mesazhe u kërkohej përditësimi i të dhënave bankare përmes klikimit në një link mashtrues që imitonte faqen zyrtare të institucionit financiar.
Si pasojë e kësaj skeme kriminale, disa qytetarë dhanë të dhënat e tyre bankare dhe u bënë viktima të mashtrimit. Drejtoria për Hetimin e Krimeve Kibernetike, në bashkëpunim me Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë dhe në koordinim me Prokurorin e Rrethit Gjyqësor Tiranë, ndërmori veprime që çuan në identifikimin dhe ndalimin e njërit prej të dyshuarve. Personi i ndaluar është shtetasi I.K., 25 vjeç, me nënshtetësi holandeze. Një tjetër shtetas, A.R., është shpallur në kërkim si i dyshuar bashkëpunëtor në këtë veprimtari.
Materialet procedurale u referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë për veprat penale “Mashtrimi kompjuterik” dhe “Falsifikimi kompjuterik”, të parashikuara nga nenet 143/b dhe 186/a të Kodit Penal. Në njoftim theksohet reagimi i menjëhershëm i strukturave të hetimit kibernetik dhe koordinimi institucional që lejuan zbardhjen dhe goditjen e skemës mashtruese.
Policia e Shtetit apelon te qytetarët të tregojnë kujdes maksimal ndaj mesazheve dhe linkeve të dyshimta që kërkojnë të dhëna personale ose bankare. Njoftimi kujton se asnjë institucion bankar nuk kërkon përditësim të të dhënave sensitive nëpërmjet SMS-ve ose linkeve të dërguara në telefon. Në çdo rast të dyshimtë, qytetarët ftohen të raportojnë menjëherë pranë Policisë së Shtetit dhe pranë institucionit të tyre bankar.

