Milani është përfshirë sërish në një krizë të thellë. Pas një pjesë të parë të sezonit të shkëlqyer, kur kuqezinjtë ishin shumë pranë vendit të parë, në muajt e fundit skuadra e drejtuar nga Massimiliano Allegri pësoi një rënie drastike, deri në atë pikë sa rrezikon kualifikimin në Ligën e Kampioneve dhe tani ka më pak pikë se në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, kur në pankinë ishte Sergio Conceiçao, i cili qëndroi vetëm gjashtë muaj.
Tekniku portugez, që aktualisht drejton Al Ittihad në Arabinë Saudite, foli për problemet që kanë pushtuar Milanin duke iu referuar edhe eksperiencës së tij me klubin. Conceiçao tha se e mori detyrën për të “përfunduar një punë” ku Fonseca kishte hasur vështirësi, pavarësisht se e konsideron atë trajner të mirë. Ai tha se gjeti një grup që donte të punonte, përmendi fitoren në Superkupën italiane në Arabinë Saudite, ku u mundën Juventus dhe Inter, dhe fituan trofeun.
Imazhi i tij duke festuar me puro u bë ikonik; ai shpjegoi se festimi me puro është “emblema” e tij dhe se në Arabinë Saudite u afeksionua me puro për shkak se konsumimi i verës nuk lejohet.
Conceiçao riktheu vëmendjen te situata pas fitimit të Superkupës, duke përshkruar një ambient të vështirë në Milano. Ai tha se pas barazimit me Cagliarin filluan të qarkullonin zëra për zëvendësuesin e tij dhe drejtuesit nuk i përgënjeshtruan këto zëra. Trajneri përmendi se kishte parë destabilizim në dhomat e zhveshjes dhe se kjo ndikonte edhe në performancën e skuadrës; tifozët që braktisnin stadiumin dhe ndikimi i rrjeteve sociale, ku çfarë thuhej për ekipin shkonte te futbollistët, kontribuan në problemin. Sipas tij duhej një mbrojtje më e madhe nga klubi, sepse “nëse klubi nuk është i fortë, as skuadra nuk është e fortë”.
Përsa i përket udhëheqjes brenda grupit, Conceiçao tha se lider është ai që jep shembullin, edhe jashtë fushës, dhe përmendi Christian Pulisic dhe Gabbia si shembuj udhëheqësish, duke shtuar se ata nuk ishin të vetmit liderë në skuadër.

