Kryeministri Edi Rama mori pjesë në samitin Shqipëri-Izrael dhe mbajti një fjalim për bashkëpunimin mes dy vendeve në fushën e sigurisë kibernetike dhe përforcimin e ekonomisë së Shqipërisë dhe të rajonit përmes teknologjisë së fundit. Ai falënderoi organizatorët dhe pjesëmarrësit izraelit për kontributin e tyre në iniciativat për teknologji dhe digjitalizim, duke theksuar se njohuria dhe dijet janë ato që dallojnë vendet dhe që mund t’u japin mundësi shteteve të vogla të arrijnë rezultatet që vendet e mëdha nuk i arrijnë me metodat e vjetra.
Rama kujtoi historikun e lidhjeve midis shqiptarëve dhe hebrenjve, duke përmendur se Shqipëria ishte vendi i vetëm në Europë që pas Luftës së Dytë Botërore kishte më shumë hebrenj se para saj, falë mbrojtjes dhe mikpritjes së myslimanëve shqiptarë që rrezikuan jetën për t’i strehuar. Ai tha se kjo histori duhet të transmetohet brez pas brezi si shembull i mënyrës se si duhet të sillemi me të tjerët edhe në kohët moderne.
Kryeministri foli gjithashtu për pranimin e mijëra iranianëve në opozitë në Shqipëri, që sipas tij nuk u bë për arsye politike, por për shkak se jetët e tyre ishin në rrezik. Shteti shqiptar u ofroi strehim dhe krijoi marrëveshje që ata të mund të jetojnë dhe të rrisin fëmijët këtu. Ai theksoi se kjo sjellje shkaktoi hakmarrje nga regjimi iranian, i cili filloi sulme kundër infrastrukturës që Shqipëria kishte ndërtuar për vite me rradhë për të shërbyer qytetarët me shpejtësi, transparencë, pa korrupsion dhe pa tarifa.
Rama nënvizoi se Shqipëria kishte digitalizuar 95% të shërbimeve publike dhe se sulmet iraniane synonin të ktheshin vendin prapa në kohën e errët të shërbimeve publike. Ai shprehu mirënjohje për ndihmën që Shqipëria mori nga Izraeli, Shtetet e Bashkuara dhe disa vende nga Emiratet, të cilat ndihmuan vendin të mbijetojë këto sulme.

