Ish-deputeti i Partisë Demokratike në Shqipëri, Kreshnik Çollaku, është rikthyer në politikë duke u angazhuar në Kosovë. Ditën e sotme ai u prezantua nga Vjosa Osmani dhe Lumir Abdixhiku si pjesë e listave të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), njoftim i cili u shpërnda në profilin e Facebook-ut të ish-presidentes Osmani.
Sipas postimit të Osmanit, karriera e Çollakut është ndërtuar mes universitetit, diplomacisë dhe angazhimit për kauzën e Kosovës. Për më shumë se 20 vjet ai ka shërbyer si pedagog universitar, ku, sipas Osmanit, ka formuar breza studentësh me frymën e mendimit demokratik, përgjegjësisë publike dhe vizionit perëndimor. Në postim theksohet roli i tij në periudha të rëndësishme të konsolidimit ndërkombëtar të Kosovës, kur Çollaku ka punuar në Ambasadën e Shqipërisë në Uashington, duke kontribuar, sipas Osmanit, në forcimin e mbështetjes amerikane për Kosovën dhe promovimin e çështjes së saj në qarqet diplomatike amerikane.
Osmani kujton gjithashtu angazhimin e Çollakut si deputet i Partisë Demokratike të Shqipërisë dhe si pjesë aktive e diplomacisë parlamentare, ku ai do të ketë qenë një zë mbështetës i Kosovës në forume rajonale dhe ndërkombëtare, duke mbrojtur të drejtën për pavarësi, sovranitet, integritet territorial dhe integrim euro-atlantik. Në postim përmendet edhe që Çollaku është një nga themeluesit e Lëvizjes Studentore të Dhjetorit 1990, brezi që rrëzoi regjimin komunist dhe e lidhte të ardhmen e shqiptarëve me demokracinë dhe Perëndimin.
Osmani thekson lidhjen e veçantë që Çollaku ka ruajtur me Kosovën, me njerëzit dhe të ardhmen e saj, dhe njofton se ai është sot shtetas i Republikës së Kosovës. Po ashtu, sipas Osmanit, Çollaku ka shërbyer si këshilltar i saj për politikë të jashtme në Presidencë, duke dhënë një kontribut në hapjen e dyerve të Kosovës me botën dhe në thellimin e raporteve me SHBA. Lajmi u publikua nga Top Channel.

