Gjergj Luca është një emër i njohur në Shqipëri, i cili prej vitesh është përfolur për lidhje me botën e krimit dhe aktivitetet e paligjshme. Nga aktiviteti i kazinove dhe lojërave të fatit, ai arriti që me ardhjen në pushtet të Partia Socialiste e Shqipërisë të përfitojë prona shtetërore me vlerë të madhe, të cilat më pas i ktheu në restorante dhe fabrika peshku në disa qytete të vendit.
Shumë qytetarë dhe denoncime publike kanë ngritur dyshime të forta se pas fasadës së biznesit të peshkut fshihet një aktivitet tjetër shumë më i errët si ai i trafikut të kokainës. Emri i Lucës është përmendur ndër vite në raportime dhe akuza publike që kërkojnë hetim të plotë nga institucionet shqiptare si trafikant droge.
Rrjeti i restoranteve, magazinave dhe transportit frigoriferik është zgjeruar me shpejtësi në të gjithë Shqipërinë, ndërsa shumë qytetarë shtrojnë pyetjen: a mund të pasurohesh kaq shpejt vetëm me tregtinë e peshkut në një vend si Shqipëria apo ai ushtron një aktivitet tjetër?
Ngjarja e fundit e denoncuar në ambientet e Rozafa Fish City ka shtuar edhe më shumë dyshimet. Sipas denoncimit, persona të lidhur me ambientet e biznesit ushtruan dhunë ndaj qytetarëve, ndërsa më pas u tentua të pengohej hyrja e policisë në ambientet e kompleksit. Kjo ka ngritur pikëpyetje të forta mbi atë që mund të fshihet pas dyerve të këtyre bizneseve.
Qytetarët kërkojnë që SPAK dhe Policia e Shtetit të kryejnë hetime të plota mbi aktivitetin, origjinën e pasurisë dhe rrjetin e bizneseve të lidhura me Lucën.
Një drekë familjare e kthyer në skenë dhune brutale. Një denoncim tronditës ka mbërritur në redaksinë e JOQ Albania, ku një qytetare akuzon se në ambientet e Rozafa Fish City, biznes në pronësi të Gjergj Luca, persona të lidhur me stafin kanë ushtruar dhunë fizike ndaj klientëve, ndërsa më pas kanë tentuar të fshehin autorët dhe të pengojnë edhe policinë.
Sipas dëshmisë së saj, gjithçka nisi pasi familjarët kishin përfunduar drekën dhe kishin dalë për një xhiro në ambientet e jashtme të kompleksit. Edhe pse dikush u kishte thënë të mos kalonin në një zonë pas lokalit, qytetarja pretendon se nuk kishte asnjë tabelë ndaluese apo paralajmërim për klientët.
Por ajo që pasoi, sipas saj, ishte një shpërthim i papritur dhune.
“Një burrë erdhi me vrap drejt nesh, kapi shokun tim nga krahu dhe e goditi me shkelm e më pas me grusht në ballë. Motra ime ndërhyri për ta ndarë dhe mori goditje poshtë syrit”, rrëfen denoncuesja.
Në vend që të qetësohej situata, sipas saj, personi që ushtroi dhunën u largua me vrap sapo u njoftua policia. Ndërkohë, në vendngjarje ndodheshin edhe dy fëmijë të mitur, të cilët mbetën të traumatizuar nga skena.
Denoncuesja ngre akuza të forta edhe ndaj menaxhimit të biznesit. Ajo pretendon se kërkuan identitetin e agresorit, por askush nuk dha informacion. Madje, sipas saj, një person që u prezantua si menaxher i kaloi në telefon një person me emrin Emiljano, i cili i kërcënoi dhe u kërkoi të largoheshin menjëherë nga ambientet.
Skandali bëhet edhe më i rëndë me pretendimin se roja i biznesit ka përzënë policinë nga oborri bashkë me qytetarët, duke ngritur pikëpyetje të forta:
Çfarë po fshihej brenda ambienteve të Rozafa Fish City që nuk duhej të shihte policia?
Pse u penguan efektivët të hynin në ambientet e biznesit?
Kush janë personat që ushtrojnë dhunë ndaj klientëve dhe më pas zhduken pa lënë gjurmë?
Sipas qytetares, vetëm pas mbërritjes së një patrulle tjetër ata janë drejtuar vetë në Komisariatin e Elbasan ku kanë bërë kallëzim penal. Ajo thotë se dëmtimet në fytyrë të motrës dhe shokut të saj janë fotografuar dhe dosja tashmë ndodhet në Prokurori.
Ngjarja ngre dyshime të forta mbi mënyrën si funksionon siguria në një nga bizneset më të njohura të Elbasan. Nëse pretendimet rezultojnë të vërteta, kemi të bëjmë jo vetëm me dhunë ndaj klientëve, por edhe me një tentativë për intimidim, fshehje autorësh dhe pengim të punës së policisë.

