Fjala e artistit Robert Ndrenika në gjyqin e kryebashkiakut Erion Veliaj, ku deklaroi se “ditët e fundit të burgut të Veliaj do t’i bënte ai”, shkaktoi reagime të ndryshme në rrjetet sociale dhe u diskutua në emisionin “Shqipëria Live” me pjesëmarrjen e Zhaklin Lekatarit, Halit Valterit dhe Albatros Rexhës. Disa përdorues mbështetën Ndrenikën, të tjerë shprehën pakënaqësi, çka solli debat mes panelistëve.
Halit Valteri e përshkroi reagimin social si “injorancë” dhe kritikoi mënyrën se si u zhvillua diskutimi: “Gjyqin ta bëjnë injorantët. Reagojnë sikur halli ishte pse tha Robert Ndrenika: ‘E bëj unë për ty burgun’. Për mua kjo është injorancë. ‘Si je o bir?’, i tha. ‘Ç’të mbeti ty, e bëj unë’. Nuk e di çfarë i ka shqetësuar shqiptarët, që i hedhin të gjitha në kanal vetëm pse bëri atë koment”.
Zhaklin Lekatari u shpreh se takimi i artit dhe politikës nuk duhet të jetë neutral dhe kritikoi humbjen e dinjitetit të artistëve: “Ndrenika ka humbur dinjitetin e tij duke përfshirë politikën me artin”, duke shtuar se në 30 vitet e fundit kriza ekonomike dhe shpërndarja jo e rregullt kanë bërë që artistët të humbin “shpirtin e tyre, kritikën, profesionin dhe dinjitetin.” Lekatari tha se artistët kanë kthyer misionin në zanat dhe se Ndrenika, edhe pse kishte shkuar në mënyrë private, “më vjen keq që në mënyrë private humbi dinjitetin e vet duke thënë ato fjali: ‘Do t’i bëj unë ditët e tua’, si batutë filmi që të na bëjë të kemi ndjenja keqardhjeje.” Ai kritikoi gjithashtu shtetin për mungesën e hapësirës që iu jep artistëve dhe qytetarëve, duke i reduktuar “në fansa politikani”.
Albatros Rexha kundërshtoi Lekatarin, duke thënë se dinjiteti nuk vendoset nga të tjerët: “Ti, Zhak, s’vlerëson dot dinjitetin tënd, jo më të të tjerëve. Të dëgjova se mos thua pastaj që është seksiste. Vlerëso dinjitetin tënd, jo të tjetrit.” Debati vijoi me shkëmbim replika mes Lekatarit dhe Rexhës, ku Lekatari tha: “Ditët e tua të fundit të jetës nuk i përdhos për dikë tjetër. S’më intereson politika, a fola gjë për këtë?” dhe Rexha u përgjigj: “E kalon në seksizëm kjo. A të thashë që e kalon në seksizëm? Mbaroi termi ‘patronazhist’, Zhak. Jam unë, kaq, mbaroi”. Lekatari iu drejtua më pas Rexhës: “O ulërima, boll mos ulëri! Mëso të mos e marrësh personale”.

