Një shtetas amerikan dhe një francez që u kthyen në vendet e tyre të origjinës pasi u larguan nga anija turistike MV Hondius, e goditur nga një shpërthim vdekjeprurës i hantavirusit, kanë rezultuar pozitivë, njoftojnë autoritetet. Departamenti i Shëndetësisë i SHBA-së tha se një shtetas i dytë amerikan në fluturimin e riatdhesimit kishte treguar gjithashtu simptoma të lehta, dhe shtoi se të dy pasagjerët ishin kthyer në “njësi bio-kontrolli për shkak të kujdesit të tepruar”.
Ministrja franceze e Shëndetësisë, Stéphanie Rist, tha se një grua ishte në izolim në Paris dhe se shëndeti i saj po përkeqësohej, ndërsa 22 kontakte ishin gjurmuar. Sipas raportimeve, më shumë se 90 pasagjerë të MV Hondius, aktualisht e ankoruar në Ishujt Kanarie të Spanjës, po riatdhesohen.
Në përditësimin të bërë nga Tenerife të hënën, zyrtarët spanjollë vunë në dukje se 54 persona ishin ende në bord të anijes. Ministrja spanjolle e Shëndetësisë, Mónica García, tha se gjashtë prej tyre ishin pasagjerë: katër australianë, një britanik dhe një neozelandez. Ajo njoftoi se rreth 22 persona do të zbrisnin nga anija për të fluturuar drejt Holandës të hënën, përfshirë australianët që pritej të ktheheshin direkt në shtëpi, megjithëse mbërritja e avionit të tyre nuk mund të garantohej për në kohë.
Autoritetet pritnin që MV Hondius të nisej për në Holandë më vonë të hënën. Ndërkohë, raportimet konfirmojnë se tre pasagjerë kanë vdekur pas udhëtimit në anije: një çift holandez dhe një grua gjermane. Dy prej tyre janë konfirmuar se kanë pasur virusin.
Lajmi është përpunuar nga Top Channel, sipas materialeve të shpërndara nga autoritetet shëndetësore dhe zyrtarët lokalë të Tenerife, duke përfshirë njoftimet zyrtare të ministrive të Shëndetësisë së Francës dhe Spanjës dhe Departamentit të Shëndetësisë së SHBA-së.

