Sekretari amerikan i Energjisë, Chris Wright, deklaroi se administrata amerikane po shqyrton mundësinë e pezullimit të taksës federale të karburantit si pjesë të masave për të ulur çmimet e benzinës për qytetarët amerikanë. Në një intervistë për NBC News, Wright tha se administrata mbështet “çdo masë” që ndihmon në uljen e kostove të karburantit në pompë. “Çdo hap që mund të ndërmerret për të ulur çmimin e karburantit dhe kostot për amerikanët mbështetet nga kjo administratë,” u shpreh ai.
Sipas Wright, qeveria ka ndërmarrë tashmë disa hapa për të përballuar krizën energjetike. Ai përmendi përdorimin e rezervës strategjike të naftës, rishikimin e rregulloreve të Agjencisë për Mbrojtjen e Mjedisit mbi përzierjet e benzinës dhe kërkesën ndaj rafinerive për të kufizuar ndërprerjet e mirëmbajtjes, me qëllim rritjen e prodhimit të karburantit. Këto masa, sipas tij, synojnë të rrisin furnizimin dhe të ndikojnë në uljen e çmimeve në treg.
Wright lidh uljen e çmimeve të energjisë drejtpërdrejt me situatën në Ngushticën e Hormuzit, një nga korridoret kyçe të transportit të naftës. “Kur të rikthehet lëvizja e lirë në Ngushticën e Hormuzit, çmimet e energjisë do të bien,” deklaroi ai, duke nënvizuar se stabilizimi i trafikut detar në atë rajon është faktor i rëndësishëm për çmimet globale të karburantit.
Muajin e kaluar, Wright paralajmëroi se çmimi i benzinës në SHBA mund të mos bjerë nën 3 dollarë për galon deri në vitin 2027, edhe nëse situata në Lindjen e Mesme stabilizohet më herët. Ky parashikim mori kundërshtimin publik të presidentit amerikan Donald Trump, i cili e cilësoi atë si “krejtësisht të gabuar”.

