Me mbylljen e sezonit të rregullt të Kategorisë Superiore janë dhënë verdiktet për rënien dhe shpërblimet nga Federata Shqiptare e Futbollit. Vllaznia do të marrë shpërblimin prej 10 milionë lekësh të rinj pasi mposhti sot Flamurtarin dhe përfitoi nga humbja e Elbasanit. “Verdheblutë” do të marrin 7 milionë lekë, Egnatia 5 milionë dhe Dinamo 2 milionë si vend i katërt. Ekipit kampion do t’i akordohen edhe 10 milionë të tjera, përveç këtyre shpërblimeve.
Sa i përket mbijetesës, Flamurtari dhe Bylisi janë zyrtarisht të rënë në Kategorinë e Parë. Teuta do të duhet të luajë ndeshjen “play out” me fituesin e çiftit Besa–Pogradeci në Kategorinë e Parë. Vora, me një fitore të thellë ndaj Bylisit, shmangu ndeshjen shtesë për rënien falë golavarazhit më të mirë se durrsakët, që e komplikuan shumë sezonin në fazën e katërt.
Tirana, pas një faze të katërt të jashtëzakonshme, arriti të shmangë atë që quhet katastrofë në një sezon shumë të vështirë dhe larg asaj që tradita i ka mësuar bardhebluve. Me Orges Shehin dhe me atë që skuadra ka treguar në javët e fundit, bardheblutë kanë vënë baza të rëndësishme për t’u kthyer konkurrues në sezonin e ardhshëm.

