Pacienti zero i epidemisë së hantavirusit në anijen kroçiere është identifikuar si ornitologu Leo Schilperoord, i cili ndërroi jetë. Leo, 70 vjeç, dhe bashkëshortja e tij Mirjam, 69 vjeç, ishin në një udhëtim pesëmujor në Amerikën e Jugut. Sipas Il Messaggero, ata mbërritën në Argjentinë më 27 nëntor, vazhduan drejt Kilit dhe Uruguait, dhe u kthyen në Argjentinë në fund të marsit për të ndërmarrë një ekspeditë vëzhgimi shpendësh që rezultoi fatale. Çifti është identifikuar në nekrologjitë e publikuara në buletinin mujor të qytetit të tyre, Haulerwijk, një fshat me rreth 3 mijë banorë në Holandë.
Autoritetet argjentinase dyshojnë se vendgrumbullimi i mbetjeve në Ushuaia është vendi i ekspozimit, ku çifti thuhet se ka thithur grimca nga jashtëqitjet e minjve të orizit me bisht të gjatë, të cilët bartin variantin “Andes” të hantavirusit, formën e vetme të njohur që mund të transmetohet nga njeriu te njeriu. Më 1 prill, Leo dhe Mirjam hipën në anijen MV Hondius nga Ushuaia së bashku me 112 persona të tjerë, shumë prej tyre entuziastë të vëzhgimit të shpendëve ose shkencëtarë.
Simptomat filluan më 6 prill, kur Leo paraqiti temperaturë, dhimbje koke, dhimbje stomaku dhe diarre; ai vdiq në bord pesë ditë më vonë. Mirjam zbriti nga anija së bashku me trupin e Leo-s më 24 prill gjatë një ndalese të planifikuar në ishullin Santa Helena. Ajo u nis me një avion për në Johanesburg dhe më pas me një fluturim të KLM drejt Holandës, por ekuipazhi konstatoi se ishte shumë e sëmurë për të vazhduar udhëtimin dhe u detyrua ta zbriste nga avioni. Mirjam u rrëzua në aeroport dhe vdiq ditën e nesërme.
Lajmi raportohet nga Top Channel në bazë të artikullit të Il Messaggero dhe informacioneve të publikuara në nekrologjitë lokale.

