Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Skender Hita, i shoqëruar nga Drejtori i Departamentit për Rendin dhe Sigurinë Publike dhe Drejtori i Policisë Rrugore, vizitoi Qendrën Kombëtare të Monitorimit të Trafikut. Ai u prit nga Drejtori i Përgjithshëm i Autoritetit Rrugor Shqiptar (ARRSH), Ami Kozeli, si dhe nga drejtuesit e Qendrës Kombëtare të Monitorimit të Trafikut. Qëllimi i vizitës ishte gjetja e mënyrave që Policia e Shtetit të përfitojë pamjet e prodhuara nga kamerat dhe radarët funksionalë, si dhe nga pajisjet që do të vendosen në vijim.
Pamjet e siguruara parashikohen të përdoren jo vetëm nga Policia Rrugore në funksion të evidentimit dhe ndëshkimit të shkeljeve të rregullave të qarkullimit rrugor, por edhe nga struktura të tjera të Policisë së Shtetit. Synimi është rritja e parametrave të sigurisë publike, parandalimi i ngjarjeve kriminale dhe zbardhja si dhe dokumentimi ligjor i tyre për qëllime verifikimi dhe përgjegjësish administrative.
Gjatë takimit, Drejtori Hita theksoi se integrimi i mjeteve bashkëkohore logjistike dhe i teknologjisë inteligjente, duke minimizuar kontaktin e drejtpërdrejtë të punonjësve të Policisë me përdoruesit e rrugës, do të ndikojë pozitivisht në rritjen e parametrave të sigurisë rrugore. Ai përmendi gjithashtu se ky model veprimi synon të kontribuojë në forcimin e imazhit të vendit dhe të Policisë së Shtetit, përmes përdorimit të zgjidhjeve teknologjike që rrisin efikasitetin e monitorimit dhe të ndërhyrjes.
Nga ana e tij, Drejtori i Përgjithshëm i ARRSH-së, Ami Kozeli, vlerësoi bashkëpunimin institucional me Policinë e Shtetit. Kozeli nënvizoi se koordinimi ndërmjet institucioneve do të ndikojë drejtpërdrejt në rritjen e sigurisë në akset rrugore dhe në përmirësimin e standardeve të monitorimit të trafikut.
Në përfundim të takimit, Hita dhe Kozeli u dakordësuan që bashkëpunimi për përftimin e pamjeve të finalizohet, dhe të mundësohet kalibrimi i radarëve në akset rrugore dhe në tunele, në mënyrë që pamjet dhe të dhënat e siguruara t’i vihen në dispozicion Policisë së Shtetit për verifikimin dhe ndëshkimin e shkeljeve me masa administrative. Top Channel

