Një vit pas kontestimit kundër administratës RedBird, situata te Milani përsëritet dhe shënjestra këtë herë është shefi ekzekutiv Giorgio Furlani, i kritikuar prej ditësh në rrjetet sociale nga tifozët kuqezi. Përpara ndeshjes vendimtare ndaj Atalantës në San Siro, e cila është thelbësore për kualifikimin në Ligën e Kampioneve, priten parrulla dhe kore kundër Furlanit. Gjatë 90 minutave pritet që skuadra të marrë mbështetjen e tifozëve, e ndryshe nga ajo që ndodhi para një viti me Monzan kur Sektori Jugor u la praktikisht bosh dhe u shfaq parrulla “Shkoni në shtëpi”.
Pakënaqësia e tifozëve lidhet me menaxhimin aktual të klubit dhe është përkeqësuar pas fitimit të titullit të 21 nga ana e Interit. Për tifozët e Milanit, kualifikimi për në Ligën e Kampioneve është objektivi minimal, ndërsa pritshmëritë për sezonin e ardhshëm janë që skuadra të paktën të luftojë për titullin. Shumë do të varet nga lëvizjet në merkato, që mund të mos drejtohen më nga Igli Tare, një zhvillim që do të ndikojë direkt në formën dhe ambiciet e klubit.
Sipas Corriere dello Sport, marrëdhëniet mes Igli Tare dhe Furlanit nuk janë të mira, dhe Furlani ka rifilluar kontakte me Tony D’Amico, aktualisht Drejtor Sportiv i Atalantës, i cili ishte kërkuar edhe një vit më parë nga Milani. Po ashtu, raportohet se D’Amico mund të sjellë te Milani edhe Vincenzo Italianon, të afërt me largimin nga Bologna, si zëvendësim të mundshëm për Massimiliano Allegrin, i cili është nën kontratë me klubin deri në 2027.
Këto lëvizje do të përbënin një revolucion të ri brenda klubit, që prej kohësh vuan për të gjetur një ekuilibër të qëndrueshëm. Në një situatë të tillë, sipas artikullit, rikthimi te triumfet duket i vështirë dhe madje i përshtatet përshkrimit si një utopi.

