Protesta e tetë kombëtare e thirrur nga opozita, e nisur në orën 19:00, u mbyll pas rreth një ore e gjysmë. Ajo u karakterizua nga përplasje mes protestuesve dhe policisë, e cila këtë herë u përpoq të vepronte në mënyrë parandaluese. Fillimisht protesta ishte e qetë dhe pa fjalimet karakteristike të deputetëve dhe të kryetarit të PD, Sali Berisha; në një podium të improvizuar u mbajtën vetëm disa thirrje kundër qeverisë dhe kryeministrit Rama.
Më pas u tentua marshimi drejt Ministrisë së Brendshme, por policia, siç e pati paralajmëruar, mori masa për t’i ndaluar protestuesit me një kordon të madh efektivësh dhe përdorim të ujit dhe gazit lotsjellës. Këto masa shkaktuan edhe reagime të dhunshme. Fillimisht molotovët shpërthyen pranë kordonit të policisë dhe pranë mjetit që lëshonte ujin, ndërsa protestuesit lëshuan gurë dhe fishekzjarrë drejt forcave të rendit, duke krijuar momente të tensionuara.
Sali Berisha preferoi të qëndrojë në ballë të protestës; uji i lëshuar nga policia goditi edhe të pranishmit në fronin e protestës. Fotot e siguruara tregojnë edhe masat që morën deputetët e PD, Luçiano Boçi dhe Flamur Noka. Gjatë gjithë protestës binte shi, dhe protestuesit përdorën çadra për t’u mbrojtur nga uji i policisë dhe reshjet.
I lagur nga uji i policisë dhe nga shiu, Sali Berisha paralajmëroi beteja të tjera. Ndryshe nga protestat e mëparshme, në këtë tubim nuk u sulmua asnjë institucion. Lajmi vjen nga raportimi i Top Channel.

