Detaje të reja janë dhënë lidhur me vrasjen e 66-vjeçarit Rexhep Ismaili, ngjarje e ndodhur mbrëmjen e 7 majit në fshatin Gjashtë. Ismaili, pronar i një karburanti dhe i lokalit “Vëllezërit Ismaili”, mbeti i vrarë brenda ambientit të biznesit të tij pas një konflikti të dhunshëm mes disa personave.
Sipas informacioneve paraprake, rreth orës 21:28 një grup prej rreth 10 personash mbërriti në lokalin e Ismailit. Dyshohet se ata kishin konflikt të mëparshëm me një të ri nga zona për çështje pronësie. I riu ndodhej në verandën e lokalit së bashku me Ismailin dhe disa persona të tjerë. Fillimisht u zhvillua një debat verbal që shpejt eskaloi në përplasje fizike me sende të forta. Burime pranë hetimit bëjnë me dije se grupi i të rinjve ka hyrë me forcë në ambientet e lokalit dhe ka sulmuar personin me të cilin kishin konflikt, ndërsa 66-vjeçari ka ndërhyrë për të shuar sherrin dhe për të larguar personat nga biznesi i tij.
Në kulmin e konfliktit, Ismaili është futur në pjesën e brendshme të lokalit dhe më pas ka dalë me një armë zjarri tip AK-47, duke qëlluar disa herë në drejtim të grupit. Nga ana tjetër ka pasur kundërpërgjigje me armë zjarri tip pistoletë; një plumb ka goditur Ismailin në kokë, duke i shkaktuar vdekjen e menjëhershme në vendngjarje. Pas krimit, autorët janë larguar me shpejtësi nga zona.
Në vendin e ngjarjes është gjetur dhe sekuestruar një automjet luksoz Audi Q8, i cili dyshohet se u përket personave të përfshirë. Deri tani autorët e dyshuar nuk janë kapur nga policia; kontrollet vijojnë në disa zona për lokalizimin dhe arrestimin e tyre. Burime bëjnë me dije se të paktën pesë persona janë shoqëruar në polici dhe po merren në pyetje lidhur me rrethanat e ngjarjes dhe konfliktin që çoi në përplasjen fatale. Hetuesit punojnë për të identifikuar autorin e plumbit që i mori jetën 66-vjeçarit dhe për të dokumentuar rolin e secilit të përfshirë.
Rexhep Ismaili ishte një emër i njohur në zonën e Sarandës; përveç karburantit dhe lokalit, ai dhe vëllai zotëronin plazhin Pema e Thatë në Ksamil, dhe ai mbante detyrën e drejtuesit të Shoqatës “Çamëria”, dega Sarandë. Policia dhe grupi hetimor vazhdojnë punën intensive dhe priten zhvillime të reja për identifikimin dhe kapjen e autorëve.

