Vetëm pak ditë pas letrës së deputetes së PD Jorida Tabaku për situatën e parlamentit dhe procesin e integrimit, kreu i Komisionit të Jashtëm të Parlamentit Europian, David McAllister, i ka kërkuar zyrtarisht Komisionit Europian sqarime për hapësirën e opozitës dhe funksionimin demokratik të institucioneve në Shqipëri. Në letrën drejtuar Komisioneres për Zgjerimin, Marta Kos, McAllister përcjell shqetësimet e ngritura nga Tabaku lidhur me përjashtimin e opozitës nga procesi i integrimit, mungesën e transparencës dhe kufizimin e rolit kontrollues të parlamentit shqiptar.
Ai thekson se, sipas shqetësimeve të përcjella, opozita, shoqëria civile dhe publiku janë të përjashtuar nga informacioni mbi negociatat dhe procesin e anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian. McAllister kërkon nga Komisioni Europian një vlerësim të qartë mbi bashkëpunimin mes qeverisë dhe opozitës në Shqipëri, si dhe mbi mënyrën se si mund të garantohet roli kushtetues i opozitës si institucion kontrolli demokratik.
Në letrën e tij, McAllister paralajmëron se “një proces integrimi i dominuar vetëm nga ekzekutivi dhe që përjashton opozitën rrezikon të dëmtojë standardet demokratike dhe vetë besueshmërinë e procesit të zgjerimit të Bashkimit Europian”. Ai nënvizon gjithashtu se Shqipëria, e përshkruar si një vend “frontrunner” në procesin e integrimit, duhet të ndjekë një përpjekje të bazuar në merita, integritet institucional dhe standardet demokratike europiane.
Lënda e kërkesës drejtuar Komisionit Europian kërkon përgjigje dhe vlerësim mbi transparencën dhe përfshirjen e aktorëve të ndryshëm në procesin e integrimit, si dhe mbi masat që mund të merren për të siguruar funksionimin e institucioneve demokratike dhe rolin kontrollues të opozitës në Parlamentin shqiptar. Përmbajtja e letrës pasqyron shqetësime të ngritura publikisht nga deputetja Tabaku dhe synon sqarime zyrtare nga institucionet europiane.

