Më 6 maj, Aeroporti Ndërkombëtar i Prishtinës “Adem Jashari” pa mbërritjen e një avioni të tipit Antonov An-124, një nga aeroplanët më të mëdhenj për transport mallrash. Arsyeja e fluturimit mbetet e panjohur; Radio Evropa e Lirë (REL) ka kërkuar informacione nga Aeroporti i Prishtinës, por nuk ka marrë përgjigje. Fluturimi me regjistrimin UR-82008 nuk shfaqet në regjistrat e fluturimeve komerciale online, ndërsa Ministria e Mbrojtjes e Kosovës deklaroi se nuk ka informacione zyrtare lidhur me këtë fluturim.
Fotografi kosovar Arian Mavriqi ka fotografuar dhe xhiruar uljen e aeroplanit. Entuziastë aviacioni, vendas dhe të huaj, publikuan gjithashtu fotografi e video dhe aluduan se aeroplani mund të ishte nisur nga një bazë ajrore në Gjermani. Disa prej tyre sugjeruan se An-124 mund të ketë sjellë pajisje ushtarake për misionin paqeruajtës të NATO-s në Kosovë, KFOR; për këtë çështje KFOR nuk iu përgjigj pyetjeve të REL-it.
Ministria e Mbrojtjes e Gjermanisë i tha REL-it se si çështje parimore nuk komenton transportet ushtarake, dhe që përgjigja e saj nuk përbën as konfirmim e as mohim lidhur me këtë fluturim. Megjithatë, Ministria theksoi se forcat e armatosura gjermane përdorin shërbimet e Antonov Logistics SALIS GmbH për dërgimin dhe furnizimin e forcave gjermane në kontekstin e mbrojtjes kombëtare, mbrojtjes së aleancës, menaxhimit të krizave ndërkombëtare dhe menaxhimit të rreziqeve dhe krizave kombëtare.
Sipas të dhënave zyrtare të kompanisë, Antonov Airlines është degë e Antonov Company me seli në Kiev dhe operon një flotë që përfshin pesë avionë An-124 Ruslan, të cilët mund të bartin ngarkesa deri në 150 tonë. Dy prej këtyre aeroplanëve përdoren zyrtarisht përmes Antonov Logistic SALIS GmbH për shërbime transportuese për NATO-n dhe vendet e Bashkimit Evropian për dërgimin e “mallrave emergjente në situata të krizës”. Kompania njofton se shërbimet e planifikimit dhe mirëmbajtjes janë përkohësisht zhvendosur në Leipzig për shkak të luftës në Ukrainë.
Antonov An-124 nuk është parë për herë të parë në Kosovë: Aeroporti i Prishtinës publikoi fotografi të ardhjes së tij më 2016, ndërsa grupi BBKRspotters publikoi një video të uljes në janar 2024. Radio Evropa e Lirë ka kërkuar informacion edhe nga vetë Antonov, por deri në publikim nuk kishte marrë përgjigje. /REL (Top Channel)

