Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) ka pranuar kërkesën e SPAK dhe ka kaluar për gjykim dosjen ndaj ish-drejtuesit të Prokurorisë së Sarandës, Kledian Llaho, avokatit Çlirim Shahini dhe dy biznesmenëve, Vasil Bakalli dhe Pando Papuçi. Të katër emrat akuzohen, sipas SPAK, për vepra që lidhen me korrupsion dhe ushtrim të ndikimit të paligjshëm ndaj funksionarëve të drejtësisë.
Hetimet e SPAK-s zbulojnë se ish-prokurori Llaho dyshohet se ka shfrytëzuar detyrën zyrtare për të favorizuar persona nën hetim në këmbim të përfitimeve financiare. Në dosje përmendet një rast ku një person me inicialet M.A., i hetuar nga Prokuroria e Sarandës për “shpërdorim detyre”, kishte detyrime financiare ndaj vjehrrit të Llaho për një investim në një hotel. SPAK pretendojnë se Llaho i ka kërkuar të hetuarit që shumën prej 1.8 milionë lekësh t’ia kthente vjehrrit të tij përmes biznesmenit Vasil Bakalli, duke premtuar lehtësim të pozitës procedurale në hetim.
Në të njëjtën dosje, SPAK pretendon se biznesmeni Pando Papuçi ka dhënë ryshfet për të ndikuar në procesin gjyqësor ndaj tij. Konkretisht, thuhet se Papuçi i ka dhënë 30 mijë euro Kledian Llahos dhe Vasil Bakallit, me qëllim ndikimin tek prokurorja përgjegjëse për çështjen e tij. Po ashtu, SPAK pretendon se Papuçi i ka dhënë edhe 25 mijë euro avokatit Çlirim Shahini, pasi ky i fundit i kishte premtuar ndikim tek gjyqtarja e çështjes.
Në seancën paraprake të zhvilluar më 6 maj, gjyqtarja Engjëllushe Tahiri vendosi kalimin e çështjes për gjykim nga një trupë me tre gjyqtarë. Ndërkohë, nga aktorët e përfshirë në procedim, Pando Papuçi ka kërkuar gjykim të shkurtuar. Materialet e çështjes do të shqyrtohen më tej në procesin gjyqësor sipas vendimit të GJKKO. Burimi i lajmit është Top Channel.

