Bashkimi Europian ka pranuar të ndalojë sistemet e inteligjencës artificiale që krijojnë foto të rreme nudo, pas një vale indinjate globale lidhur me imazhet jo konsensuale të prodhuara nga chatbot-i Grok i Elon Musk. Eurodeputeti irlandez Michael McNamara deklaroi: “BE-ja vendosi sot një vijë të kuqe. Inteligjenca artificiale kurrë nuk duhet të përdoret për të turpëruar, shfrytëzuar apo rrezikuar njerëzit. Për herë të parë, legjislacioni i BE-së ndalon në mënyrë specifike aplikacione të përdorura për situata denigruese.”
Nisma vjen pas polemikave të shkaktuar nga një funksion i ri i Grok, i cili lejonte përdoruesit të krijonin imazhe të rreme nudo të të rriturve dhe fëmijëve, duke përdorur baza nga fotografi reale pa miratimin e personave të shfaqur në to. Kjo praktikë ka ngjallur shqetësim të madh për privatësinë dhe sigurinë e individëve.
Pak ditë më parë kryeministrja italiane Giorgia Meloni denoncoi publikisht fotografitë e rreme gjoja intime të krijuara me inteligjencë artificiale, duke i cilësuar këto deepfake si një “mjet tejet të rrezikshëm”. Bashkimi Europian planifikon të përfshijë ndalimin e tillë në ndryshimet e rregullave gjithëpërfshirëse mbi inteligjencën artificiale, të cilat ishin miratuar më parë në vitin 2024.
Modelet e AI-së kanë qenë nën vëzhgim të rreptë javët e fundit brenda bllokut, ndërkohë që zhvilluesi amerikan Anthropic kufizoi publikimin e modelit të tij Mythos, për shkak të shqetësimeve se mund të përdorej nga hakerët. Gjithashtu, tridhjetë deputetë nga grupe të ndryshme politike i dhanë thirrje Brukselit të rishikojë rregullat e tij për sigurinë kibernetike nëpërmjet një letre drejtuar ekzekutivit të BE-së të dërguar të hënën.
Vendimi i BE-së synon të adresojë përdorimet denigruese dhe rrezikuese të inteligjencës artificiale, ndërsa debate për kufizime dhe masa sigurie vazhdojnë të intensifikohen, me institucionet europiane dhe qeveritë kombëtare që kërkojnë të përshtatin legjislacionin dhe kontrollet ndaj teknologjive të reja. (Burimi: Top Channel)

