Kryeministri Albin Kurti distancoi qeverinë nga vendimi i fundit i Gjykatës Speciale për shtyrjen me dy muaj të dhënies së aktgjykimit ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Pak ditë më parë, ushtruesja e detyrës së presidentit, Albulena Haxhiu, shpalli datën 7 qershor për mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare, të treta brenda rreth një viti e gjysmë.
Gjyqi ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit përfundoi në shkurt, ndërsa aktgjykimi, që pritej këtë muaj, u shty deri më 20 korrik nga paneli gjyqësor me arsyetimin e “kompleksitetit të rastit”. Kurti nënvizoi se Qeveria e Republikës së Kosovës nuk ka qasje në dinamika e zhvillime të brendshme të Gjykatës Speciale dhe se lajmin e kanë marrë në të njëjtën kohë si publiku. Ai vuri në dukje mungesën e transparencës të kësaj gjykate ndaj Kosovës, duke theksuar besimin e tij në nevojën për “gjykata normale, jo për gjykata speciale”.
Kryeministri shprehu besimin në drejtësinë e UÇK-së dhe në pafajësinë e krerëve dhe luftëtarëve të saj, të cilët sipas tij vazhdojnë të mbahen “në burg, padrejtësisht në Hagë”. Kurti theksoi se Qeveria nuk ka akses në Gjykatën Speciale dhe përsëriti qëndrimin e tij për mungesë transparence të saj në shërbim të Kosovës.
Në lidhje me zgjedhjet e reja, Kurti shprehu bindjen se Lëvizja Vetëvendosje do të arrijë një rezultat më të mirë se më 28 dhjetor. Ai tha se çdo përpjekje për të “vënë digë” ndaj lëvizjes politiko-historike të Vetëvendosjes çon në rritje të mbështetjes, dhe se sa do të jetë saktësisht rezultat i vetëm do të dihet në mbrëmjen e 7 qershorit.

