Ambasada ruse në Gjermani ka kritikuar ashpër autoritetet e Berlinit, duke i akuzuar për “irracionalitet” dhe “cinizëm” pas vendimit për të ndaluar shfaqjen e flamurit të BRSS-së dhe simboleve të tjera ruse gjatë datave 8 dhe 9 maj, periudhë kur përkujtohet fundi i Luftës së Dytë Botërore. Sipas një deklarate të policisë së Berlinit të datës 22 prill, në disa zona të kryeqytetit ndalohet përdorimi i uniformave, flamujve, simboleve apo paradave ushtarake që lidhen me Rusinë dhe ish-Bashkimin Sovjetik.
Ambasada, në një reagim të publikuar në platformën X, e ka cilësuar vendimin si një masë që synon “privimin e pasardhësve të ushtarëve sovjetikë çlirimtarë, qytetarëve të rekrutuar dhe vizitorëve në Berlin nga e drejta për të nderuar me dinjitet përvjetorin e disfatës së nazizmit”. Autoritetet gjermane thonë se ndalimet lidhen kryesisht me monumentet sovjetike në Treptow, Tiergarten dhe pyllin Schönholz, vende ku pritet të ketë prani të madhe njerëzish gjatë përkujtimoreve.
Policia e Berlinit ka deklaruar se pret grumbullime të mëdha dhe ka paralajmëruar për rrezikun e incidenteve apo përplasjes mes grupeve me qëndrime të ndryshme politike. Ajo shton se masat janë në vijimësi të atyre të aplikuara edhe në vitet e mëparshme pas nisjes së luftës në Ukrainë. Në reagimin e saj, ambasada ruse kërkoi heqjen e ndalimeve dhe njohjen zyrtare të krimeve naziste si “gjenocid kundër popujve të Bashkimit Sovjetik”.
Në fund të deklaratës së ambasadës theksohet se Gjermania është aktualisht kreditori më i madh i Ukrainës. Po ashtu, autoritetet gjermane po raportojnë më shpesh raste të dyshuara sabotimi dhe spiunazhi që i atribuohen Kremlinit. Burimi i informacionit: Top Channel.

