Një rast që përshkruhet si skenar filmi ka tronditur botën e automobilave: nëntë supermakina me vlerë milionash u zhdukën nga garazhi privat i ish-pilotit të Formula 1, Adrian Sutil, dhe hetimet vendosin në qendër mercenarët e grupit rus Wagner. Sipas mediave gjermane, gjithçka nisi në dhjetor 2025, kur në prokurorinë e Stuttgartit u depozitua kallëzimi për zhdukjen nga rezidenca e Sutil në Monako. Avokati Dirk Schmitz tha se familja mori fillimisht një telefonatë kërcënuese nga një person që prezantohej si “Vladimir” dhe pretendonte se ishte pjesë e Wagner; mesazhi paralajmëronte marrjen e makinave “me ose pa pëlqimin” e tyre. Pak ditë më pas, persona të armatosur shkuan në garazh, ku familja, sipas avokatit, përjetoi kërcënime serioze fizike, dhe automjetet u ngarkuan dhe u zhdukën pa gjurmë.
Në janar 2026 Sutil i kërkoi policisë së Monakos të ndërhynte, duke pretenduar se familja ishte nën kërcënim të vazhdueshëm për jetën nga anëtarë të Wagner. Mes makinave të vjedhura ishte një Koenigsegg Agera One:1, një nga vetëm shtatë ekzemplarë të prodhuar ndonjëherë, me vlerë të llogaritur midis 10 dhe 22 milionë dollarësh; automjeti ka karroceri transparente prej fibre karboni dhe vijë rozë karakteristike, veçori që e bëjnë thuajse të pamundur shitjen ose fshehjen në tregun ndërkombëtar. Nga garazhi u morën edhe një Koenigsegg Regera, një Rolls‑Royce Phantom, një Ferrari California, disa modele Lamborghini dhe Porsche, si edhe një Mercedes‑Benz 600 që më parë i përkiste Elvis Presley.
Vlera totale e koleksionit vlerësohet rreth 17 milionë euro, megjithëse ekspertët thonë se në tregun aktual shifra reale mund të jetë shumë më e lartë. Hetimet kanë nxjerrë në pah problemet ligjore të Sutil, i cili më parë ishte nën hetim për mashtrim dhe përvetësim lidhur me financimin e automjeteve luksoze; autoritetet gjermane kishin sekuestruar rreth 20 makina të tij në Gjermani, Zvicër dhe Monako. Një pistë hetimore tregon se Sutil dyshohet se kishte kërkuar “mbrojtje” nga Wagner për makinat që nuk ishin sekuestruar, por nuk kishte përmbushur obligimet financiare, dhe reagimi, sipas hetuesve, ishte i pamëshirshëm.
Interpol po koordinon hetimet ndërkombëtare, ndërsa autoritetet gjermane lëshuan urdhër arresti ndërkombëtar ndaj Sutil. Dyshohet se automjetet janë zhvendosur drejt vendeve të Evropës Lindore ose Rusisë; deri tani është gjetur vetëm një nga nëntë makinat. Ekspertët konsiderojnë paradoksale mbajtjen e makinave të rralla si Agera One:1, pasi ato praktiksht nuk mund të shiten pa u identifikuar, dhe për këtë arsyetohen se mund të ruhen si “trofe” ose të përdoren si mjet presioni për negociata.

